VIDEO/ Berisha: Taksa në segmentin Thumanë - Kashar, anti-ligjore. Shqiptarët të ngrihen, tenderat e firmosur në fundvit do zhbëhen

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencë me gazetarët deklaroi se taksa që vendoset në segmentin rrugor 20 kilometra Thumanë - Kashar është anti-ligjore.

Deklarata e Berishës

Së pari një urim të përzemërt për ju që keni dalë këtë ditë në punë. Së dyti, përsëri një urim për të gjithë ata që na ndjekin në këtë bisedë me ju.

Çështjet që desha të sjell para jush dhe shqiptarëve janë së pari, vendosja e taksës raciste, diskriminuese për 20 kilometra rrugë, Ura e Limuthit-Thumanë.

Kjo taksë, e cila është një nga më të shtrenjtat në Europë dhe botë, po të kemi parasysh segmentin 20 kilometra, është një taksë jashtëzakonisht problematike, pasi është taksë kundrejt banorëve më të varfër të Shqipërisë dhe më të varfër të Europës.

Duhet të sqaroj këtu se të ardhurat për frymë të qarqeve të veriut janë rreth dy herë më të ulëta se të ardhurat për frymë të qarqeve të Shqipërisë së mesme dhe të jugut.

Vendosja e një takse prej 4.2 euro vajtje-ardhje për 20 kilometra rrugë të ndërtuara është akt urrejtje kombëtare, është diskriminim antikushtetues pasi taksa e tillë e ngjashme nuk ekziston në autostradat e tjera të kategorisë A që shtrihen nga Vlora në Fier, nga Elbasani në Tiranë, etj.

Pra, pretendimi se është kategori A, është një mashtrim i turpshëm i Lubi Ballukut dhe Edi Ramës sepse nuk ka asnjë lidhje.

Kategori A është rruga nga fillimi i bajpasit të Fierit gjer në Vlorë, nga Farka gjer në Elbasan dhe nuk ka asnjë taksë për këta banorë që kanë pothuaj dyfishin e të ardhurave krahasuar me banorët e Kukësit, Tropojës, Hasit, Pukës dhe zonave të tjera.

Taksa që vendoset në segmentin rrugor 20 km është absolutisht antiligjore sepse çdo qytetar shqiptar paguan njërën prej taksave më të larta në Europë, taksë qarkullimi, 270 lekë për çdo litër naftë, nga e cila mblidhen qindra milionë euro dhe destinacioni i vetëm ligjor i tyre është mirëmbajtja e rrugëve.

Në qoftë se vilen çdo vit 200 milionë apo 160 milionë euro me këtë taksë, në buxhetin e këtij viti janë akorduar për mirëmbajtjen e të gjithë rrjetit rrugor të Shqipërisë gjithsej 30 milionë euro, një shumë qesharake.

Pra, taksa që merret për rrugën është e paguar në taksën e qarkullimit. Vidhet nga qeveritarët dhe tani rëndohen më të varfrit.

Kjo taksë rëndon shumë buxhetin e qytetarëve. Një qytetar nga Hasi, Tropoja, edhe nga Kukësi, për të ardhur në Tiranë dhe për t’u kthyer duhet të shpenzojë të njëjtën shumë parash që shpenzon me EasyJet, Tiranë-Bruksel apo Tiranë-Budapest dhe ky është një qëndrim i bazuar në urrejtje, i bazuar në diskriminim racist ndaj atyre që nuk e votojnë Edi Ramën.

PD u bën thirrje qytetarëve të veriut të organizohen në mosbindje të fuqishme civile për të shembur çdo barrierë, me të cilat Edi Rama kërkon t’u vendosë taksa raciste.

PD garanton qytetarët se me ardhjen e saj në pushtet, çdo taksë nga Vermoshi në Konispol do të hiqet dhe nuk do ekzistojë për asnjërën nga rrugën, autostradat e ndërtuara në Shqipëri.

PD paralajmëron ndërtuesit, mos u bëni bashkëautorë në koncesione, të cilat rëndojnë mbi shpatullat e taksapaguesve shqiptarë në mënyrën më të tmerrshme.

Lidhur me këtë, deklaroj se ne, tenderat e shpallur në këtë fundvit, qoftë ai i Porto Romanos, qoftë tre segmentet e rrugës Milot-Fier, në mënyrë absolute nuk do të njihen, por do të bëhen përgjegjës dhe do ndiqen penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në këto tendera në kundërshtim flagrant me ligjin elektoral, i cili ndalon qeverinë të bëjë prokurime dhe tendera 4 muaj para zgjedhjeve.

Unë i ftoj biznesmenët, ndërtuesit, të mos harrojnë se ligji është edhe për qeveritarët, edhe për kompanitë që me vetëdijë e shkelin atë.

Segmentet e shpallura janë në këtë periudhë vetëm që qeveria të mbushë thasë me euro gjatë fushatës elektorale dhe janë në kundërshtim flagrant me kodin zgjedhor, që është Kushtetuta e zgjedhjeve.

Këto kisha, duke pasur parasysh që me këto pushime të zgjatura, Shqipëria po i afrohet Nepalit.

Por nepalezët kanë një meritë, vërtet kanë shumë ditë pushimi, por punojnë 8 euro dhe nuk kanë uikend.

Përndryshe, kanë 39 ditë festa. Aty po i çon edhe Edi Rama në kundërshtim me çdo lloj rregulli.

I duhet sa më pak të punojnë dhe të ikin shqiptarët nga Shqipëria.

Mësova më vonë dhe dua të ju konfirmoj se kemi të bëjmë me një krim të shëmtuar kushtetues.

Se Skapistët, të tmerruar nga krimi i tyre, kanë kryer një krim tjetër, që ju e keni të vështirë të imagjinoni.

Kanë kërkuar vendosjen e masave të sigurisë sepse Sali Berisha po sulmon SPAK-un dhe gjykatën, Irenën dhe Dumanin.

Irenën me 5 mbiemra dhe Dumanin me 4 banesa, se 3 i ka të vetat, dhe një e ka me qira, qenka qiraxhi tek vjehrri.

Prit se kjo është me e bukura, se po sulmon gjykatën dhe në këtë mënyrë tremben dëshmitarët, në një kohë kur 130 dëshmitarë të pyetur kanë dëshmuar se nuk kanë marrë kurrë asnjë porosi, asnjë gjë të vetme nga Sali Berisha, nuk kanë asnjë dëshmi kundër tyre, se çfarë do tremben ata që kanë thënë asnjë fjalë për Sali Berishën, këtë e dinë vetëm kriminelët elektoralë, kriminelët kushtetues të Skrapit të partisë.

D.m.th zbatuan urdhrin e Edi Ramës sepse janë tmerruar nga denoncimet e aferave të tyre, vjedhjeve që kanë bërë.

Dhe të kesh tre banesa me rrogë shteti dhe të banosh në një të katërt se i paguan vjehrrit qira, e kuptoni vetë se ç’ndodh aty. Merret me mend se si janë larë paratë me thasë.

Kështu që këtë mësova unë. Më sqaroi avokati mbrapa, se dje kur takova gazetarët nuk e kisha të qartë se çfarë kanë arsyetuar.

Arsyetimi ishte se Berisha po sulmon gjykatën, e kishin fjalën për Irenën me 5 mbiemra dhe SPAK-un për trojkën famëzezë, të zhytur në krime elektorale dhe krime ekonomike të tjera, të denoncuar dhe që do i denoncoj gjithnjë e më shumë për ato që kanë kryer.

Dhe gjykojnë që masat duhet t’i vendosin në mënyrë që të imponojnë censurë. Është tipike mendësia e Edi Ramës. Se Edi Rama për ta nuk çan kokën, Edi Rama ka hallin se unë po denoncoj gjithnjë vjedhjet e tij, familjare dhe qeveritare, të lidhura së bashku. Sidoqoftë, çështja është në Strasburg. Avokatët ia përcjellin Strasburgut edhe këtë vendim.