Mas*kra me 12 të vrarë në Cetinje/ Kryeministri i Malit të Zi: Ndalim i armëve në mbarë vendin

Autoritetet malazeze do të shqyrtojnë të gjitha opsionet për të parandaluar incidente të mëtejshme të lidhura me armët, duke përfshirë ndalimin e armëve në mbarë vendin. Kryeministri malazez Milojko Spajiç tha se ky vendim vjen pasi një burrë kishte sulmuar me armë zjarri në qytetin e Cetinjes të mërkurën vrau të paktën 12 persona dhe plagosi rëndë katër të tjerë. 

“Në mbledhjen (e ardhshme) të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ne do të shqyrtojmë urgjentisht të gjitha opsionet, duke përfshirë një ndalim të plotë të posedimit të armëve. Armët nuk mund të jenë në rrugë dhe në duart e atyre që mund të lëndojnë të tjerët. Unë do t’i kërkoj krerëve tanë të sigurisë që nesër të ofrojnë zgjidhje konkrete për sigurinë e qytetarëve tanë”, tha Spajiç.

Policia e identifikoi vrasësin si 45-vjeçarin Aco Martinoviç. Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Danilo Sharanoviç tha se Martinoviç filloi të shtënat pasi shpërtheu një sherr në lokalin ku ai ndodhej. Policia thotë se ai qëlloi dhe vrau pronarin e lokalit, gruan dhe fëmijët e tij, si dhe anëtarët e familjes së tij pasi u largua nga lokali. Policia dërgoi forcat e saj speciale për të kërkuar sulmuesin në Cetinje, që ndodhet rreth 30 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Podgoricë. I dyshuari kreu vetëvrasje pasi policia e gjurmoi dhe e rrethoi.