Tragjedia në Cetinje, qeveria e Malit të Zi shpall tri ditë zie
Të paktën shtatë persona, duke përfshirë dy fëmijë, janë vrarë në Cetinje të Malit të Zi ndërsa policia është në kërkim të dyshuarit, Aco Martinovic.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatovic, ka deklaruar se është i tronditur dhe i prekur nga tragjedia që ka mbuluar Cetinjen.
“Në vend të kremtimit të festave, në të gjithë Malin e Zi është shtrirë trishtimi për shkak të humbjes së jetëve të pafajshme. Jam i tronditur dhe i prekur nga kjo tragjedi që ka mbuluar në Cetinjen tonë. Familjeve dhe miqve të viktimave u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Lutemi dhe shpresojmë për shërimin e të plagosurve. Mendimet tona sonte janë me familjet që kanë humbur të dashurit e tyre dhe me qytetarët e Cetinjes. I gjithë Mali i Zi ndien dhe ndan dhimbjen tuaj”, ka shkruar Milatovic në X.
Ndërkohë, Qeveria e Malit të Zi ka shpallur tri ditë zie për tragjedinë në Cetinje, ka bërë të ditur kryeministri, Milojko Spajic, shkruan vijesti.me.
Policia është në kërkim të banorit të Cetinjes, Aco Martinovic, i cili dyshohet se ka kryer krimin pas një përleshje në një kafene.
Policia gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve të mos dalin në rrugë pasi i dyshuari është i armatosur.
