"Paratë po zhduken"/ Alimehmeti: Hetimi i SPAK-ut ndaj Veliajt, dosje e turpit të Tiranës

Ilir Alimehmeti, anëtar i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, thotë drejtësia është e vonuar në rastin e Erion Veliajt, edhe pse po vepron ndaj tij.

“Çdo element që futet te dosja e Veliajt që del dita ditës në sytë e të gjithëve... një pjesë e tyre, se ka akoma për t’u hapur, është në dosjen e Veliajt, por edhe të turpit të Tiranës.

Pra këto para, që merren nga xhepat tanë, për t’u kthyer në shërbime për ne, ne jemi të mbi-taksuar, mbipaguajmë për çdo gjë...

Në fund të ditës investimet i marrim minimale dhe paratë shkojnë për drejtorët e Veliajt dhe inceneratorët që nuk ekzistojnë”, tha Alimehmeti në “Off the Record”.

“Prandaj po thosha që edhe drejtësia është e vonuar. Në radhë të parë, këto kanë shumë vite që po ndodhin, nuk po ndodhin në fund të 2024-ës.

Është edhe e gabuar kur e vonon. Po bëre neglizhencë me fondet publike, që ikin, dhe lejon zhdukjen e tyre...

Kur e bën ndërhyrjen pasi ndodh fakti, se paratë ikën, a i merr më dot mbrapsht këto para? Pse nuk bllokohet kjo? Sepse synimi është që të ikin këto para.

E dyta duhet bërë shembull, që personi që do të vijë më pas, të mos marrë shembullin negativ, por shembullin pozitiv”, tha Alimehmeti.