Gonxhja: Kukësi, me institucion modern të arsimit profesional

Në Kukës u hodhën sot themelet për ndërtimin e një shkolle të mirëfilltë profesionale.

Shkolla, që ka mbështetjen e qeverisë, do të transformohet në një institucion modern për arsimin profesional, me kapacitet për mbi 300 nxënës dhe kursantë, duke transformuar tërësisht godinën e ish-shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri”.

Në këtë aktivitet ishte e pranishme zëvendësministrja së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani dhe përfaqësues të lartë të pushtetit qendror dhe vendor.

“Shkolla e re profesionale në Kukës, një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të arsimit dhe formimit profesional në Qarkun e Kukësit”, shkroi ministri i MEKI-t, Blendi Gonxhja në rrjetet sociale.

Investimi do të krijojë mundësi të reja arsimimi dhe trajnimi për qytetarët e Kukësit, duke përfshirë klasa mësimore, kabinete praktike dhe ambiente moderne për praktikë profesionale.

Ministri Gonxhja tha se, arsimi profesional është çelësi për zhvillimin e ekonomisë lokale dhe për të ardhmen e të rinjve.