Erzeni në vështirësi, trajneri i shijakasve e pranon: Kemi boshllëqe, ndërhyjmë në merkato

Erzeni nuk ka pasur shumë kohë që ta përgatisë sfidën me Kastriotin, pasi dihet që të mërkurën u mundën në Shijak nga Pogradeci.

Në lidhje me duelin e sotëm në transfertë, trajneri Ergys Luga para ndeshjes deklaroi:

“Kisha besim të plotë te futbollistët për takimin e zhvilluar në mesjavë, pasi kishim punuar për të marrë maksimumin. Humbja erdhi nga dy episode, që mendoj se duheshin eliminuar nga skuadra.

Kartoni i verdhë për mua erdhi si pasojë e disa gabimeve teknike të gjyqtarit. Unë konstatova një rast penalltie në mungesë të VAR. E kam ngritur gjithmonë këtë problemin e VAR-it, që duhet të jetë edhe në Kategoria e Parë. Sa i përket ndeshjes së radhës,

Kastrioti ka një strukturë të mirëorganizuar, por për ne është një bonus për këtë takim pasi edhe kundërshtari vjen me 3 humbje radhazi. Merkatoja? Do të hyjmë në merkato, sidomos në sulm ku kemi boshllëqe. Nuk po shënojmë, edhe pse krijojmë raste e lojë, por na mungon finalizimi”.

Erzeni mban vendin e fundit në Kategorinë e Parë me vetëm 4 pikë të grumbulluara në 16 javë.