Mosvendosja e pankartave me urimin 'Gëzuar Krishtlindjet', reagon kisha katolike në Shkodër
Kisha katolike në Shkodër ka reaguar në lidhje me një lajm pas një reagimi publik në Facebook, të Famullitarit të Kishës Katolike të Shkodrës, Dom Vlash Palaj, ku i bënte thirrje kryebashkiakut Benet Beci, t’i shërbejë komunitetit pjesë e të cilit është edhe ai katolik dhe të vendosë sa më parë në vendet e duhuna publike, pankartat me urimin ‘Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2025!’
DEKLARATË
Zoti Ju dhashtë Paqe.
Sapo u zgova në mëngjes, pas Meshës së Shenjtë, lexova në media që “Kisha Katolike” kishte kritikuar Bashkinë Shkodër dhe Kryetarin e saj për vonesën në vendosjen e parullës me mesazhin e urimit për festën e Krishtlindjes në qendër të qytetit.
Së pari ju bëj me dije se Kisha Katolike në Shkodër përfaqësohet nga Shkëlqësia e Tij Imzot Angelo Massafra dhe jo nga Dom Vlash Palaj, famullitari, i cili ka postuar statusin në media sociale, dhe nga asnjë Meshtar tjetër, pa autorizimin e Arqipeshkvit.
Për këtë arsye: Unë distancohem nga kjo mënyrë veprimi.
Së dyti ndjej një keqardhje të thellë për përdorimin e këtij statusi nga media dhe individë të ndryshëm, për qëllimet e tyre personale apo politike.
Fatkeqësisht përdorimi i këtij statusi nga mediat ka krijuar një atmosferë jo të përshtatshme në prag të festës së Krishtlindjes.
Shfrytëzoj rastin të falenderoj publikisht Bashkinë Shkodër për bashkëpunimin e veçantë për organizimin e Luminit të Martirëve të fesë Dom Gjon Gazulli dhe Atë Luigi Paliq.
Dëshiroj t’ju kujtoj gjithashtu, se në vitet e kaluara parullat me urimin për festat, janë prodhuar dhe vendosur nga vetë Komunitetet Fetare, me një leje të posaçme nga Bashkia. Propozoj që nga viti 2025 e në vazhdim të ndiqet e njëjta praktikë.
Të nderuar, lus dhe uroj që kjo deklaratë të shërbejë për të qetësuar situatën, dhe të vlerësojmë festën e Krishtlindjes për të qenë, siç thotë Papa Françesku “Artizanë të paqes”.
Zoti na bekoftë!
+ Angelo Massafra OFM
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult
