Alimehmeti: Bashkë për Tiranën! Analiza dhe propozimet e PD-së për Buxhetin 2025 dhe përmirësimin e qeverisjes
ILIR ALIMEHMETI: Të nderuar miq, Në emër të grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, ju falenderoj përzemërsisht që u bashkuat sot me ne në këtë dëgjesë mbi buxhetin e Bashkisë sonë, të Kryeqytetit tonë, të Tiranës sonë! Jam i nderuar të shoh mes jush të rinj e të reja, aktivistë e aktiviste të paepur, por edhe profesionistë e profesioniste të nderuar.
Sot është zëri juaj që duhet dëgjuar e përçuar, prandaj më lejoni t’ju them shkurt pse jemi këtu.
Jemi këtu patjetër për të hulumtuar në detaj buxhetin për vitin 2025, por kryesisht për të marrë mendimet tuaj, për të shkruar amendamentet për ju dhe për të këshilluar përfshirjen e tyre në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Unë kam besuar dhe vazhdoj besoj fort te puna në grup, te aftësitë diplomatike dhe politike të znj. Zhulali, te aftësitë financiare dhe ekonomike të z. Teliti dhe të z. Pano, te aftësitë komunikuese dhe qytetare të znj. Kepi, te znj. Njuma, te znj. Kaceli dhe te z. Dushku, në simbiozë me të cilët do të çojmë përpara jo vetëm këtë panel sot por edhe punën në Këshillin Bashkiak sot e mot.
Sepse Partia Demokratike ka vlera, Partia Demokratike ka profesionistë, Partia Demokratike ka personalitete! Por, mbi të gjitha, sepse Partia Demokratike ka vullnetin për të vepruar!
Dikush prej jush mund të thotë se amendamentet që do të këshillohen nga Partia Demokratike nuk do të pranohen të integrohen në Buxhetin e 2025-s. Keni të drejtë! Sepse Erion Veliaj dhe drejtorët e tij, të vendosur nga Partia Socialiste, e të mbështetur nga parti aleate të tyre si PSD-ja dhe PDIU-ja, nuk kanë në vizionin dhe fokusin e tyre nevojat e qytetarëve dhe të qytetit, por vetëm nevojat e xhepave të tyre dhe të mandatarëve të tyre.
Po të ndalemi pak dhe të mendojmë “ku është sot Erion Veliaj dhe ku janë drejtorët e tij”?
Ai vetë është në qendër të vëmendjes negative politike, mediatike dhe gjyqësore, si rrjedhojë fillimisht e grykësisë dhe arrogancës së tij, por patjetër edhe si rrjedhojë e aksionit opozitar të parreshtur kundër vjedhjes së qytetit tonë, kryeqytetit të Shqipërisë.
Meritë e veçantë shkon për çdonjërin prej jush, për çdo të ri, për çdo aktivist, për çdo qytetar, primus inter pares Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.
Por këtë Erion Veliaj ia ka bërë vetes!
Ia ka bërë vetes kur firmosi për inceneratorët që nuk ekzistojnë e për të cilët edhe për vitin 2025 do të djegim të paktën 12 milionë euro të marra nga xhepat tonë.
Ia ka bërë vetes kur krijoi skemat e 5D-ve, që tani po shkojnë në skema të 10D-ve apo 15D-ve, duke marrë paratë e Tiranës dhe duke i kthyer drejtorët e tij në investitorë strategjikë me nga dhjetëra milionë euro secili të marra nga xhepat tonë.
Ia ka bërë vetes kur paguante mediat dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë me paratë e marra nga xhepat tonë, por që tani po i kthejnë kurrizin të gjithë, sepse fati i tij tashmë është shkruar.
Këto ia ka bërë vetes ai, por më lejoni t’ju them çfarë ju ka bërë juve dhe çfarë s’ka bërë për ju!
Që prej vitit 2015 e sot ai ka administruar disa miliarda euro të marra nga xhepat tonë!
Çfarë vepre e madhe është zhvilluar në Tiranë me këto miliarda euro?
Inceneratori imagjinar?
Pylli orbital imagjinar me 1 apo 2 milionë pemë imagjinare?
Shkolla, kopshte dhe çerdhe imagjinare?
Impianti imagjinar i përpunimit të ujërave të zeza?
Buxheti i vitit 2025 është një buxhet me karakter të fortë elektoral.
Mjaftojnë tre zëra të shpejtë për ta kuptuar:
Do të thoni ju: A do t’i votojnë të majtët! Jo, të jeni të bindur që si dele të bindura me kokën poshtë dhe kartonin lart ata nuk do t’i pranojnë dhe do ta kalojnë buxhetin elektoral të hajnisë pa asnjë ndryshim.
Por, po ju përgjigjem me fjalët kuptimplota të Prof. Dr. Berishës:
“Këto amendamente janë premtimi ynë për t’u realizuar që në Buxhetin e parë që do të hartojë Partia Demokratike me marrjen e drejtimit të Bashkisë së Tiranës!”.
Ju faleminderit!