Policia greke në kontakt me homologët shqiptarë, hetohet kush ishte objektivi i atentatit në Athinë! Autorët “profesionistë”

Athinë – Një ditë pas atentatit mafioz ku humbi jetën Irakli Davella dhe u plagos rëndë Edi Lolo, policia greke po përpiqet të zbulojë se cili ishte motivi i ngjarjes së rëndë.

Pista kryesore ku po hetohet është ajo e larjes së hesapeve dhe autoritetet greke dyshojnë se krimi ishte i planifikuar.

Siç rezultoi nga hetimet e djeshme, makina e përdorur nga autorët e krimit ishte vjedhur në Athinë, para atentatit.

Tani po policia po heton për të zbuluar se cili nga dy shqiptarët, Davella apo Lolo ishte shënjestër e atentatit.

45-vjeçari Davella ishte pronar lokali në Peristeri dhe dyshohet se kishte lidhje me tre figura të  krimit që janë vrarë në luftën e ndezur mes grupeve rivale të mafias greke.

Gjithashtu, në vitin 2009 ai është akuzuar për pjesëmarrje në grup kriminal dhe zhvatje.

Edi Lolo ka marrë plumb në kokë dhe në bark dhe po lufton për jetën. Ai ishte kthyer në Greqi nga Dubai së fundmi. Hetuesit besojnë se kthimi i tij në Greqi ka ndodhur për një arsye specifike dhe ka mobilizuar një grup rival që donte ta eliminonte.

Para atentatit, shqiptarët ishin takuar  me disa persona të tjerë në zonë. Persona të cilët tashmë janë në kërkim nga autoritetet për të përcaktuar nëse kanë ndonjë lidhje me ngjarjen.

Sipas burimeve policore, “goditja” është cilësuar si “profesionale”. Në vendin e ngjarjes janë gjetur vetëm tre gëzhoja.

Mediet greke bëjnë me dije se autoritetet greke janë në kontakt me autoritetet shqiptare, teksa hetimet vijojnë./VizionPlus