Qeveri teknike për zgjedhjet, kërkesa e PD bën jehonë në Bruksel, Albana Vokshi në EPP Women: Pa votë të lirë, s’ka demokraci dhe stabilitet

Bruksel, 14 dhjetor- Gjendja e përkeqësimit të demokracisë në Shqipëri ishte një nga çështjet e diskutuara në Bruksel në Forumin e Grave të Partisë Popullore Europiane. Zëvendëspresidentja e EPP Women, Albana Vokshi, i ngriti problemet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, persekutimit të lidershipit te opozitës dhe kërkesën për qeverinë teknike para zgjedhjeve gjatë Kongresit të EPP Women. Duke marrë shkas nga tre rezolutat e fundit të miratuara nga organizatat më të rëndësishme politike të partive të qendrës së djathtë në Europë dhe SHBA, zonja Vokshi përmendi tre gjetjet kryesore të rezolutave për Shqipërinë:

* Regjimin autoritar dhe të korruptuar në Shqipëri;
* Kontrollin absolut të Kryeministrit Rama mbi të gjitha pushtetet dhe politizimin e sistemit të drejtësisë
* Përdorimin e drejtësisë si armë për persekutimin politik të opozitës.

"Në Shqipëri, një person, kryeministri, ka përqendruar të gjithë pushtetin në duart e tij, dhe i ka reduktuar zgjedhjet në një fasadë. Vetëm 5 muaj para zgjedhjeve të vitit 2025, persekutimi politik ndaj liderëve të opozitës është intensifikuar me burgosje dhe akuza të motivuara politikisht, përfshirë kryetarët e lartive kryesore të opozitës, Sali Berishën, Ilir Metën, Fatmir Mediun, si dhe burgosjen pa prova të kundërshtrëve politikë Ervin Salianji apo Fredi Beleri”- tha zonja Vokshi gjatë fjalës së saj në Kongresin e EPP Women, ku ajo ngriti shqetësimin e lidhjeve të thella të qeverisë me krimin e organizuar. «Korrupsioni i shfrenuar dhe lidhjet mes udhëheqjes socialiste dhe krimit të organizuar, siç është zbuluar nga autoritetet belge dhe franceze, janë alarmante. Kartelet e drogës shfrytëzojnë Shqipërinë për pastrim parash, ndërsa përgjimet kanë zbuluar marrëveshje për blerjen e votave intimidimin e votuesve dhe manipulimin e zgjedhjeve»- u shpreh zëvendëspresidentja e Forumit të Grave të Partive Popullore Europiane.

Albana Vokshi tha se vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme mund të garantojnë që Shqipëria të pranohet si e barabartë nga vendet anëtare të Bashkimit Europian. Ajo njohu Kongresin e Grave të EPP-së me kërkesat e rezolutave të miratuara për krijimin e një qeverie teknike sipas modelit të Maqedonisë së Veriut. "Nëse nuk ke të drejtën për të votuar lirisht, të gjitha të drejtat e tjera janë një iluzion. Nuk ka demokraci reale, nuk ka stabilitet të vërtetë!" - theksoi zonja Vokshi, e cila u bëri thirrje pjesëmarrëseve për mbështetje në përpjekjet për rikthimin e demokracisë në Shqipëri.

EPP Women në Bruksel përfundoi me një mesazh të fuqishëm mbështetjeje për Shqipërinë dhe sfidat që ajo përballet, duke theksuar përkushtimin e PPE për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe vlerat europiane. Në punimet e kongresit morën pjesë figura të shquara nga politika evropiane, përfshirë Komisioneret Dubravka Suica, Jessika Rosëall dhe Henna Virkkunen, si dhe eurodeputete nga vende të ndryshme të BE-së. PD u përgaqësua nga Znj. Albana Vokshi, Kryetare e LDGSH dhe Zëvendës Presidente e EPP Women, si dhe znj. Elda Hoti, deputete e PD.