Tirana dhe Teuta ndajnë pikët në “Air Albania”, bardheblutë ''abonohen'' me barazimet
Katër barazime radhazi në kampionat nën drejtimin e Gugash Maganit, i 12-ti sezonal, si asnjë ekip tjetër i Kategorisë Superiore.
Tirana nuk ia del të fitojë as përballë Teutës në “Air Albania”, duke humbur më shumë terren ndaj ekipeve që luftojnë për “Final Four”.
Një tjetër rezultat zhgënjyes para tifozëve bardheblu, me zonën play out vetëm një pikë larg.
Përfundoi 0-0 takimi i fundit i javës së 17-të yë Superiores, rezultati i së cilës nuk e nxjerr ekipin rekordmen të titujve në vend nga kriza e rezultateve.
Një pjesë e parë e luftuar, pa shumë raste shënimi, pasi skuadrat menduan më shumë që të mos pësonin gol.
Në fraksionin e dytë pati shkëndija në të dyja portat, me Tiranën më kërkuese, por rastin me të pastër e pati Lloci i Teutës, që farë pranë portës godet mbi traversë.
Përfundimisht 0-0 mes Tiranës dhe Teutës, rezultat që më shumë i shkon për shtat ekipit durrsak, që mori një pikë me vlerë në kryeqytet.
