Austria ndalon shqyrtimin e kërkesave për azil të sirianëve pas rënies së Assadit

Qeveria e përkohshme e Austrisë tha të hënën se kishte urdhëruar ndalimin e përpunimit të kërkesave për azil nga sirianë, pasi rebelët pushtuan Damaskun dhe presidenti Bashar al-Assad u arratis në Rusi pas 13 vitesh lufte civile.

Lufta civile detyroi miliona sirianë të largoheshin nga vendi. Ata ishin një pjesë e madhe, e më shumë se një milion njerëzve që udhëtuan drejt Gjermanisë dhe Austrisë fqinje, gjatë krizës evropiane të migracionit të 2015 dhe 2016.

Një reagim publik kundër këtij fluksi, vazhdon të ushqejë mbështetjen për të djathtën ekstreme të Austrisë dhe konservatorët.

“Kancelari Karl Nehammer udhëzoi sot ministrin e Brendshëm Gerhard Karner të pezullojë të gjitha kërkesat aktuale për azil sirian dhe të shqyrtojë të gjitha rastet, në të cilat është dhënë azili”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme.

Karner shtoi: "Kam udhëzuar Ministrinë që të përgatisë një program të riatdhesimit dhe dëbimit të rregullt në Siri", pa elaboruar se si mund të arrihet kjo.

Nehammer tha në X të dielën, se situata e sigurisë në Siri, duhet të rivlerësohet për të lejuar rifillimin e dëbimeve.

Ministria tha se po pezullonte gjithashtu bashkimin familjar, sipas së cilit familjet e refugjatëve mund t'u bashkohen atyre. Sirianët janë grupi më i madh i aplikantëve për azil në Austri deri më tani, me 12,871 aplikime këtë vit.

Nehammer dhe Karner janë nga Partia Popullore konservatore (OVP), e cila ka bërë një linjë të ashpër për imigracionin, të ngjashme me Partinë e Lirisë së ekstremit të djathtë, një nga shenjat dalluese të saj.

Nehammer është aktualisht në bisedime koalicioni me dy parti të tjera, që synojnë formimin e një qeverie pa Partinë e Lirisë (FPO), edhe pse FPO doli e para në zgjedhjet parlamentare të shtatorit. FPO-së do t'i duhej një partner koalicioni për të qeverisur dhe asnjë nuk do të vinte menjëherë.

Megjithatë, shumë votues mendojnë se ishte ende e padrejtë nga presidenti Alexander Van der Bellen, që të mos e ngarkonte zyrtarisht FPO-në të formonte një qeveri.

Ministria e Brendshme tha se 12,886 kërkesa për azil nga sirianë duhet të vendoseshin ende në shkallën e parë ose të dytë, 1,146 prej të cilave, bazoheshin në bashkimin familjar./ Reuters.