LIGJI I RI PËR KONKURRENCËN/ Gjobë për marrëveshjet e fshehta në kontrollin e tregut, merren në mbrojtje sipërmarrjet e reja

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka prezantuar një ligj të ri për mbrojtjen e konkurrencës, duke përfshirë dhe pjesëmarrjen e kompanive në prokurime.

Ndër të tjera sanksionohen ndëshkimet për marrëveshjet e fshehta në kontrollin e tregut, por edhe të pjesëmarrjes në tendera.

Nëse do të konstatohen elemente të tilla gjoba parashikohet të shkojë nga 1 deri në 10 për qind të xhiros vjetore të subjektit apo subjekteve që bëjnë shkelje.

Drafti shprehet se kjo masë vlen në përcaktimin e çmimeve, por edhe të shmangies së garës në prokurime.

Gjoba me një vlerë prej 5 milionë lekë do të ketë edhe për individët që do të pengojnë inspektimin.

Institucionet shtetërore përcaktohet se e kanë të detyrueshme bashkëpunimin me Autoritetin e Konkurrencës për sigurimin e të dhënave, në të kundërt edhe këto do të gjobiten në masën e 50,000 lekë.

Një propozim i ri është edhe mbrojtja e sipërmarrjeve të reja nga blerja prej kompanive të mëdha duke vendosur kritere.

Ky përcaktim i ri hyn në fuqi kur konstatohet se qëllimi i përthithjes është eliminimi i konkurrencës.

Sipas draftit përveç përafrimit me legjislacionin e BE-së, bizneset e vogla dhe të mesme, do të përfitojnë nga një mjedis më i drejtë biznesi dhe konkurrues, ndërsa qytetarët pritet të kenë çmime më të ulëta dhe akses më të madh në tregje.