ENERGJIA NË KOSOVË, E SIGURTË! Korporata Energjetike: Nuk do të ketë pengesa, kemi siguruar energji!
Korporata Energjetike e Kosovës ka garantuar furnizim të rregullt me energji elektrike, pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit. Ekspertët kanë rekomanduar që institucionet të gjejnë alternativa për sigurimin e energjisë, për të mos u varur vetëm nga ky kanal. KEK po shqyrton mundësinë e krijimit të një liqeni artificial dhe rezervuari për ftohjen e termocentraleve si masa për rritjen e sigurisë në furnizim.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka siguruar qytetarët se do të ketë furnizim të rregullt me energji elektrike, duke hequr çdo dyshim për reduktime pas sulmit që është kryer në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor në Zubin Potok, raporton Ekonomia Online.
Si shkak i këtij sulmi dhe rrezikut që vendi të mbetet pa energji elektrike, ekspert të energjisë kanë bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të shikojnë mundësi për të gjetur alternativa tjera, duke mos u varur vetëm nga Ibër Lepenci.
Zëdhënësi i KEK-ut Skënder Bucolli, ka thënë se KEK-u ka siguruar energjinë elektrike nga marrëveshja që ka me Korporatën Energjetike Shqiptare (KESH), ku sipas tij, në kontratë kjo nuk është e detyrueshme, por që të dy korporatat i ndihmojnë njëra- tjetrës kur do që të ketë nevojë.
Bucolli ka thënë se KEK-u është duke shikuar mundësit e alternativave të tjera për ftohjen e termocentraleve, duke përmendur këtu furnizimin nga Liqeni i Batllavës ose krijimin e një liqeni artificial.
Kryesuesja e Komitetit Nacional “CIGRE Kosovë”, Pranvera Dobruna-Kryeziu, ka thënë se pas këtij sulmi do të nevojitet shumë kohë, mjete financiare e investime në mënyrë që kanali të vije në gjendjen për të operuar dhe mos të jetë pa pengesa.
Ajo ka thënë se si alternativ KEK-u duhet ta shikoj edhe mundësin e krijimit të një rezervuari rezerve i cili duhet që të jetë i mbushur gjithë kohën, në mënyrë që ftohja e termocentraleve të mos jetë e varur nga sjella e ujit nga Ibër-Lepenci.

