Trump emëron bashkëpunëtorin e ngushtë të Musk si kreun e ri të NASA-s

Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump njoftoi sot se ka emruar bashkëpunëtorin e ngushtë të Elon Musk, Jared Isaacman, si kreun e ri të NASA-s Gjithashtu Isaacman është CEO i kompanisë së menaxhimit të pagesave Shift4 Payments dhe kreu i Polaris, një program për dërgimin e astronautëve privatë në orbitën e Tokës në anijen kozmike SpaceX.

“Jared (…) do të hapë rrugën për arritje novatore në shkencë, teknologji dhe eksplorimin e hapësirës,” tha Trump.

Nëse miratohet, Isaacman do të drejtojë një agjenci me një buxhet 25 miliardë dollarë, qëllimi i të cilit është të përsërisë misionet e drejtuara në Hënë, me programin Artemis, të cilin Trump e promovoi gjatë mandatit të tij të parë. Ky program do të mbështetet shumë në anijen Starship të SpaceX. Presidenti Trump njoftoi gjithashtu se ka zgjedhur Peter Navarro si këshilltarin e tij për tregti dhe prodhimin. Navarro ishte drejtor i Këshillit Kombëtar të Tregtisë gjatë mandatit të parë të Trump.

“Në mandatin tim të parë, pak kanë qenë më efektivë ose më të palëkundur se Peter në zbatimin e dy rregullave të mia të shenjta: blej (produkte) amerikane, punëso amerikanë”, tha presidenti i zgjedhur në një postim në Truth Social.

Navarro u dënua janarin e kaluar me katër muaj burg për shpërfillje të Kongresit për injorimin e një thirrjeje që mori nga komiteti që hetonte sulmin nga mbështetësit e Trump në Capitol Hill më 6 janar 2021.