Ruud van Nistelrooy: Pata me Amorimin një bisedë burrash, më dhembi që u detyrova të largohesha

Ruud van Nistelrooy u largua nga Manchester United pas emërimit të Ruben Amorim trajner i parë, por vetëm dy javë më vonë gjeti një destinacion të ri, duke u prezantuar këtë të hënë si trajner i Leicester City-t, me një kontratë deri në vitin 2027.

Ishte e pamundur të mos fliste për të kaluarën e tij tek Man. United, ku drejtoi me sukses skuadrën si trajner i përkohshëm pas largimit të Erik Ten Hag.

Van Nistelrooy pranoi se ndjeu keqardhje që lidhja e tij me "Djajtë e Kuq" përfundoi aq shpejt, pasi kishte ardhur si ndihmëstrajner i bashkatdhetarit të tij gjatë verës.

"Kur mora detyrën si trajner i përkohshëm, thashë se isha aty për të ndihmuar Man. United, dhe e kisha seriozisht," tha ai gjatë prezantimit te Leicesteri.

Ai gjithashtu komentoi largimin e tij, që u zyrtarizua ditën e parë të Ruben Amorimin në Angli.

"Fola me Ruben për këtë çështje, dhe ishte një bisedë e drejtë, miqësore, nga burri te burri, nga një person te një tjetër, nga trajneri te trajneri.

Kjo më ndihmoi shumë për të ecur përpara dhe për të nisur menjëherë bisedimet me mundësi të reja, gjë që natyrisht më entuziazmoi," shtoi ai.

"Por isha i zhgënjyer, po, shumë i zhgënjyer. Më dhembi që u detyrova të largohesha.

E vetmja punë që do të pranoja si ndihmëstrajner do të ishte tek United, për shkak të lidhjes që kam me njerëzit në klub dhe me tifozët.

Por arrita ta kuptoj situatën, sepse edhe unë kuptoj këndvështrimin e trajnerit të ri. Kam qenë në futboll mjaft gjatë për ta kuptuar këtë," përfundoi ai.