Ranieri vlerëson lojtarët e tij: Luftojmë deri në fund, Atalanta 'makinë' e fuqishme

Claudio Ranieri, trajner i Romës, lavdëroi lojtarët e tij pavarësisht humbjes kundër Atalantës në ‘Olimpico’, me rezultatin 0-2, në javën e 14-të të Serisë A.

"Jam i kënaqur me lojtarët e mi, duartrokitjet e tifozëve në fund e dëshmojnë këtë.

Ne po luftojmë dhe e vlerësova ekipin për mënyrën se si luftuan deri në sekondën e fundit. Por mos mendoni se tani na presin ndeshje të lehta.

Në dhjetor do të luajmë çdo katër ditë, dhe ndeshja e ardhshme ‘kundër Lecces’ do të jetë më e vështirë se ajo e kësaj mbrëmjeje.

Nuk më pëlqejnë lojtarët që dorëzohen, nuk e kam pranuar kurrë këtë.

Duhet të luftojmë deri në fund, ashtu siç bëmë sot. Atalanta është një makinë e fuqishme, por ne po përgatitemi," deklaroi ai në një konferencë për shtyp.

Lidhur me largimet e Hummels dhe Cristantes, ai shtoi:

"Ndjenë shqetësime në shpinë dhe muskuj; do të shohim si do të jenë nesër në mëngjes. Dybala ende nuk ka bërë një stërvitje të plotë me mua, por sot dha një paraqitje të shkëlqyer.

Madje edhe Dovbyk pothuajse nuk ka stërvitur fare. Mbrëmë më tha se nuk e dinte nëse do të mund të luante për shkak të një gripi."

Para ndeshjes, e cila shënoi rikthimin e Ranierit në ‘Olimpico’, trajneri mori një mesazh të veçantë nga tifozët dhe nuk e fshehu emocionin.