Dita Botërore e Personave me Aftësi të Kufizuara, Koçiu: Të rinj të punësuar falë politikave sociale

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot në Ditën Botërore të Personave me Aftësi të Kufizuar se falë politikave mbështetëse të MSHMS, shumë të rinj janë përfshirë në programe punësimi, duke u krijuar atyre një mënyrë jetese të pavarur, por mbi të gjitha një integrim të plotë në jetën sociale dhe shoqërore.

“Rejdi, Mario dhe Elda janë dëshmia se me guxim dhe mbështetje çdo sfidë mund të përballohet”, shkroi Koçiu në rrjetet sociale.

“Politikat sociale që mbështesin këta të rinj fokusohen në mbështetje financiare për individët me aftësi të kufizuara, shërbime të integruara sociale dhe rehabilituese, programe aftësimi dhe formimi profesional për punësim në bashkëpunim me AKPA, duke synuar integrimin e tyre të plotë në jetën sociale dhe shoqërore”, u shpreh ministrja.

“Unë jam Redi Brahimi dhe kam një vit që punoj në qendrën e personave me aftësi të kufizuar.

Ftoj të gjithë ata si unë që të aplikojnë për punësim”, thotë i riu, që është përfshirë në këto programe të dedikuara për personat me aftësi të kufizuar.

“Djali im ka arritur të punësohet në një organizatë që ka një fermë didaktike, ku Mario im kujdeset për kafshët dhe për bimët. Mendoj për këta fëmijë dhe të rinj me aftësi ndryshe, terapia më e mirë është puna”, shprehet e ëma e një tjetër të riu.

“Pasi mbarova shkollën e lartë kisha dëshirë të punoja dhe dëshira ime u punësua.

Sot punoj te posta shqiptare jam shumë e kënaqur me punën që e dua”, thotë Elda, një tjetër e punësuar falë programeve integruese të MSHMS.

Dita Botërore e Personave me Aftësi të Kufizuar (PAK), 3 Dhjetor, synon ndërgjegjësimin e shoqërisë civile për t’u përfshirë në procesin e integrimit të personave me aftësi të kufizuar në jetën politike, sociale, e kulturore.

Kjo ditë është festuar në të gjithë botën që nga viti 1992 për të rritur ndërgjegjësimin publik, pranimin dhe mirëkuptimin e personave me aftësi të kufizuara.