Çiklizmi italian në zi/ Aksdenti i merr jetën ish-Kampionit të Botës

Një humbje që ka tronditur çiklizmin italian dhe më gjerë: Crescenzo D'Amore humbi jetën në një aksident rrugor fatal. Ai ishte 45 vjeç dhe gjatë karrierës së tij kishte arritur majën më të lartë, duke fituar titullin kampion bote për të rinjtë, duke u konfirmuar si një nga talentët më premtues të gjeneratës së tij.

Policia po heton ende shkaqet e aksidentit fatal, për të zbuluar nëse ka ndodhur për shkak të një defekti në makinë apo një problem shëndetësor gjatë drejtimit nga vetë D’Amore.

Lindur në vitin 1979 në Napoli, Crescenzo D'Amore i kishte dhuruar ëndrra të mëdha çiklizmit italian, veçanërisht gjatë viteve të rinisë, përpara se të niste aventurën e tij si profesionist në vitin 2000.

Ai u tërhoq nga garat në vitin 2011. Me aftësi të spikatura si sprinter i pastër, ai u përball me një prej sfidave më të mëdha të jetës në vitin 2017, kur iu diagnostikua një limfomë. Për këtë, ai iu nënshtrua një transplanti të palcës kockore dhe kontrollohej çdo gjashtë muaj, duke qëndruar vazhdimisht nën mbikëqyrje mjekësore.

Aksidenti me pasojë vdekjen e tij ndodhi të shtunën, më 30 nëntor. D’Amore u gjet pa jetë në makinën e tij, ndërsa hetuesit janë ende duke vlerësuar shkaqet e tragjedisë.

Kush ishte Crescenzo “Crash” D’Amore?

Crescenzo D'Amore ishte një çiklist i shquar për aftësitë e tij si sprinter i pastër dhe për sukseset në garat kronometrike. Ai zuri vendin e dytë në Kampionatin Botëror për të rinjtë në pistë më 1996. Vitin pasues arriti majën e karrierës së tij si i ri, duke fituar garën e rrugës për kategorinë në Kampionatin Botëror të çiklizmit rrugor, në San Sebastián.

I njohur si "Crash" nga kolegët e tij, D’Amore filloi karrierën si profesionist në vitin 2000 me ekipin Mapei-Quick Step, duke fituar një etapë në Vuelta a Argentina. Në vitin 2002 kaloi te Cage Maglierie-Olmo, ndërsa në vitin 2004 garoi për Acqua & Sapone-Caffè Mokambo. Ai mori pjesë në Giro d'Italia në vitet 2003 dhe 2004. Pas një tërheqjeje të parë nga garat në fund të vitit 2007, u rikthye si profesionist në vitin 2011 me ekipin Androni Giocattoli, ku përfundoi karrierën e tij.