Sulmi terrori*t në kanalin e Ibër-Lepencit, Kurti konfirmon se ka të arrestuar

Policia e Kosovës po vijon operacion të gjerë, duke bastisur disa shtëpi në lidhje me sulmin terrorist në rrjetin e ujësjellësit.

Kryeministri Kurti konfirmoi se ka edhe të arrestuar pa specifikuar detaje duke thënë se veprimet policore po vijojnë

Ai ka thënë se të gjithë përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.

Pasi vizitoi vendin e ngjarjes, në fshatin Varagë në Zubin Potok, Kurti u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian që të kërkojnë llogari te Serbia për sulmin.

''Sulmi dhe shpërthimi i mbrëmshëm kishte për qëllim dëmtimin e pariparueshëm të infrastrukturës kritike dhe rrjedhimisht cënimin e sigurisë kombëtare dhe defunksionalizimin e jetës normale në vendin tonë.

Falë punës së jashtëzakonshme të institucioneve, inxhinierëve dhe punëtorëve të ndërrmarrjeve publike, u rikthye në funksion kanali i Ibër Lepencit në kohë rekorde duke mundësuar furnizimin e KEK-ut me ujë. Për këtë u jemi shumë falënderues dhe mirënjohës për punën dhe angazhimin.

Sot së bashku me ministrin Sveçla, Drejtorin e Policisë së Kosovës, Hoxha dhe Drejtorin e AKI-së, Ajeti ishim në fshatin Varagë të Zubin Potokut, tek kanali i dëmtuar nga detonomi i mbrëmshëm.

Institucionet tona të sigurisë janë duke bërë përpjekje maksimale për zbardhjen e rastit dhe deri tani ato kanë kryer bastisje ku ka edhe të arrestuar, dëshmi e prova materiale. Të gjithë këta kriminelë dhe terroristë do të përballen me drejtësinë. Në anën tjetër, institucionet tjera përkatëse janë duke bërë gjithçka çfarë është e mundur që të sigurohet uji i pijshëm, energjia elektrike e ngrohja.

Një falënderim të veçantë për qytetarët e vendit për mbështetjen, solidaritetin dhe maturinë e treguar'', tha Kurti.