Incidenti në Stokholm, një dron hedh bojë mbi ambasadën e Rusisë
Një dron i paidentifikuar fluturoi sot herët mbi ambasadën ruse në Stokholm, duke spërkatur bojë në terrenin e kompleksit diplomatik. Asnjë arrestim nuk është bërë lidhur me ngjarje dhe as nuk është identifikuar ndonjë i dyshuar, deklaroi zëdhënësi i policisë suedeze.
Policia do të hetojë nëse incidenti lidhet me një rast vandalizmi në ambasadën suedeze në Moskë që ndodhi të enjten, tha zëdhënësi.
Pas incidentit që ndodhi dje në Moskë, ministrja e Jashtme suedeze Maria Malmer Sternergaard paralajmëroi Rusinë që të sigurojë mbrojtjen e misionit diplomatik të Suedisë dhe personelit të saj, ndërsa nuk komentoi incidentin me dron në Stokholm.
Një zëdhënës i ministrisë së jashtme suedeze tha se ambasada suedeze në Moskë është në kontakt me autoritetet ruse për incidentin e së enjtes.