Suedia i kërkon Kinës që të bashkëpunojë për hetimin e kabllove në Detin Baltik
Suedia i ka dërguar një kërkesë zyrtare Kinës për të bashkëpunuar për një hetim mbi sabotazhin e dyshuar për ndërprerjen e papritur të dy kabllove të internetit në Detin Baltik në fillim të këtij muaji, pas gjurmimit të të dhënave që lidhnin një anije kineze me incidentet.
“Suedia i ka dërguar një kërkesë zyrtare Kinës për të bashkëpunuar me autoritetet suedeze në mënyrë që të krijohet qartësi për atë që ka ndodhur”, u tha gazetarëve të enjten kryeministri suedez Ulf Kristersson.
Kristersson tha gjithashtu se Suedia ka kërkuar që anija kineze të kthehet në ujërat suedeze për të ndihmuar hetimin e saj. Anija aktualisht është e ankoruar në ujërat ndërkombëtare në ngushticën Kattegat midis Danimarkës dhe Suedisë.
Dy kabllot,njëri i quajtur Arelion, që lidh Finlandën me Gjermaninë, dhe tjetri i quajtur C-Lion 1 që lidh Suedinë me Lituaninë u shkëputën brenda 24 orëve nga njëri-tjetri më 17 dhe 18 nëntor. Incidentet erdhën vetëm disa javë pasi Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se Moska ka të ngjarë të synojë infrastrukturën kritike nënujore. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se askush nuk beson se kabllot janë dëmtuar aksidentalisht.
Autoriteti Suedez i Prokurorisë tha të martën e kaluar se Njësia Kombëtare e vendit kundër Krimit Ndërkombëtar dhe të Organizuar kishte hapur një hetim paraprak për sabotim të dyshuar mbi kabllot e prera. Byroja Kombëtare e Hetimit të Finlandës tha gjithashtu se kishte nisur një hetim.
Anija, e quajtur Yi Pen 3, kishte lundruar nga Deti Baltik pas një ndalese në portin e Vistinos, Rusi. Të dhënat e gjurmimit treguan se ai kaloi gjithashtu infrastrukturë tjetër nënujore në Balltik, duke përfshirë katër tubacione gazi dhe nafte, një linjë energjie dhe një kabllo tjetër telekomunikacioni në ndërtim e sipër.
