Mosbindja civile? Baçi: Kemi dy rezoluta shumë të rëndësishme. Ne do të vazhdojmë betejën tonë, nuk ka tërheqje...

Opozita ka bllokuar 5 kryqëzime në Tiranë, në protestën e tretë të asaj që është quajtur "Mosbindja civile". 

Një revoltë antiqeveritare kundër kryeministrit Edi Rama, krimit dhe korrupsionit në vend.

Në mbi 3 orë protestë, jo dhe aq paqësore nuk kanë munguar edhe episodet e përplasjeve mes policisë dhe protestuesve, veçanërisht me disa prej deputetëve më aktiv, teksa kërkohej lirimi i akseve për mosparalizimin e automjeteve.

Madje policia ka përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. 

Mbrëmjen e sotme, për të diskutuar aksionin e rradhës të opozitës, për të kuptuar se çfarë po prodhon "mosbindja civile", i ftuar në emisionin "Ora e Betit" ishte deputeti i PD, Luan Baçi.

"PD nuk kishte njohje tek ndërkombëtaret e jo më mbështetje që nuk bëhej fjalë. Kemi dy rezoluta shumë të rëndësishme, sidomos rezoluta e "Partive Popullore Europiane". Një rezolutë e miratuar në unaminitet të plotë, jo thjesht në mbështetje të PD, por duke vërtetuar të gjitha ato që Partia Demokratike ka denoncuar, për një shtet të kapur, për një pushtet të korruptuar, për një kryeministër autokrat dhe për një opozitë që ka qenë në goditje të vazhdueshme të kësaj mazhorance të gjyqësorit nga varet kjo mazhorancë dhe të disa ndërkombëtarëve që gjithmonë kanë goditur opozitën.

Ne do të vazhdojmë mosbindjen civile, ne do të vazhdojmë betejën tonë. Nuk ka tërheqje mbrapa nga kjo", shprehu Baçi.