Protesta, Këlliçi për “Ora News”: Nuk ka më qytetar në Tiranë që nuk e di që Erion Veliaj është HAJDUT
Është mbyllur protesta e opozitës pas tre orësh, ashtu siç kishte paralajmëruar edhe Partia Demokratike. Makinat kanë nisur që të lëvizin lirisht në akset e bllokuara sot nga protestuesit e PD.
Protestuesit kishin bllokuar rrugën përpara Bashkisë, Rrugën e Elbasanit, Sheshin Uilson, Pallatin me Shigjeta dhe Zogun e Zi.
Në këtë protestë janë parë edhe tensione e përleshje mes policisë nga njëra anë dhe deputetëve e protestuesve nga ana tjetër.
Protesta u mbajt në kuadër të vazhdimit të mosbindjes civile nga ana e PD, ku si kërkesë primare është krijimi i qeverisë teknike.
PROTESTA
Protesta e opozitës ka nisur me përplasje fizike mes qytetarëve dhe forcave të policisë.
Ishin fillimisht, deputetët e Partisë Demokratike dhe disa mbështetës të PD që u konfrontuan me efektivët e vendosur rreth perimetrit të sigurisë të cilët kërkojnë lirimin e rrugës për mjetet.
Ndërkaq nga konfrontimi një protestues nuk është ndjerë mirë dhe i ka rënë të fikët para mburojave të policisë.
PO ashtu tek Bashkia e Tiranës policia nuk ka kursyer përfaqësuesit dhe deputetët e Partisë Demokratike, ku pre e sulmit fizik mësohet se ka rënë dhe Belind Këlliçi.
Protesta e opozitës në Tiranë është shoqëruar me përplasje të forta mes mbështetësve të opozitës dhe uniformave të policisë.
Pas thirrjeve të shumta për lirimin e rrugës, policia përdori autobotin me ujë për të shpërndarë protestuesit që kishin bllokuar përpara bashkisë Tiranë.
Përplasje pati edhe në rrethrrotullimin e Sheshit Wilson, ku ndodhi një përplasje fizike mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe efektivëve të policisë. “Mos më prek me dorë, ti si polic zbato ligjin”, dëgjohet të thotë deputeti Gazment Bardhi.
Situata agravoi më tej dhe kaloi në përplasje fizike, ku deputeti i PD-së, Bledion Nallbati, i shoqëruar nga Eno Bozdo u përfshinë në një konfrontim fizik me efektivët e policisë, të cilët kishin hyrë në mesin e protestuesve, ndërsa është gjakosur deputeti Bledion Nallbati.
Ndërkaq përfaqësuesit e Partisë së Lirisë të kryesuar nga zëvendëspresidentja Erisa Xhixho dhe Sekretari i Përgjithshëm Tedi Blushi, do të uleshin këmbëkryq në rrugë.
“Hajde guxoni të na shkelni”, iu drejtua Xhixho efektivëve që i kishin rrethuar mbi kokat e tyre.
Për “Ora News”, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi theksoi se nuk ka më qytetar në Tiranë që nuk e di që Erion Veliaj është një hajdut.
NDIQNI TË GJITHA ZHVILLIMET NGA PROTESTA E OPOZITËS NË TIRANË


