Kandidati presidencial i ekstremit të djathtë Georgescu në balotazh me Ciolacu
Në një kthesë befasuese të ngjarjeve, kandidati i pavarur rumun i ekstremit të djathtë Calin Georgescu ka kaluar kryeministrin Marcel Ciolacu të Partisë Social-demokrate (PSD) në zgjedhjet presidenciale të së dielës.
Ciolacu kishte një epërsi të ngushtë në parashikimet bazuar në numërimin e hershëm të votave, por Georgescu e kaloi atë më vonë në mbrëmje, duke e shtyrë Ciolacun në vendin e dytë. Të dy do të përballen në balotazh më 8 dhjetor.
Georgescu ka marrë 22,09% të votave, ndërsa Ciolacu ka 21,99%, tha Zyra Qendrore Zgjedhore, bazuar në numërimin e votave nga 83,07% të qendrave të votimit. Në këto shifra nuk përfshihen votat e rumunëve që jetojnë jashtë vendit.
Georgescu, një i pavarur më parë pak i njohur, kishte tërhequr vëmendjen me qëndrimet pro ruse dhe anti perëndimore si dhe një obsesion me fashistët rumunë të Luftës së Dytë Botërore.
Agronomi dhe veterineri 62-vjeçar kishte bërë fushatë kryesisht në Tiktok. Georgescu ishte më parë një anëtar i partisë parlamentare të ekstremit të djathtë AUR, por dha dorëheqjen pas një mosmarrëveshjeje.