Ishin 2 autorë? Policia: Fushatë mediatike dizinformimi. Nga hetimet e deritanishme nuk implikohet një person i dytë
Fiqiri Meçe, babai i 14-vjeçarit të dytë që mbeti i plagosur rëndë në ngjarjen pranë Shkollës “Fan Noli” ku u vra Martin Cani pretendon për një autor të dytë në krim, krahas adoleshentit tashmë të arrestuar dhe vënë nën akuzë.
Ai thotë se bashkëpunëtori i autorit të arrestuar është një shok i tij, bashkëmoshatar i cili ditën e ngjarjes ka pasur një thikë më të shkurtër dhe ka qëlluar në shpinë Martin Canin si dhe djalin e tij.
Këtë fakt Fiqiri Meçe, sipas burimeve e ka treguar dhe në polici kur është pyetur për herën e parë.
Deklaratat publike dhe nxjerrja madje e një emri si bashkëpunëtor, ka bërë që policia e shtetit të dalë në një reagim edhe të sqarojë se nga hetimet e deritanishme nuk rezulton se në ngjarje të ketë pasur një autor të dytë.
“Policia e Shtetit disponon dëshmi të personave të përfshirë në konflikt dhe pamje filmike në afërsi të vendit të ngjarjes ku ka ndodhur tragjedia dhe në kushtet e ndalimit ligjor për publikimin e tyre, informon opinionin publik se nga hetimet e deritanishme nuk implikohet një autor i dytë i përfshirë në këtë ngjarje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Megjithatë thekson se pretendimet e Fiqiri Meçes do të vlerësohen në raport me të gjitha provat e faktet e tjera të administruara gjatë këtij hetimi.
Lidhur me ngjarjen ku mbeti i vrarë 14-vjeçari Martin Cani, Policia e Shtetit nënvizon se burime të caktuara janë angazhuar në një fushatë mediatike dizinformimi.
Ndërkohë pritet që një grup i përbërë nga policia e burgjeve, një psikiatër, një sociolog të paraqiten në ambientet e spitalit privat në Tiranë, për të vlerësuar gjendjen e autorit të dyshuar të vrasjes dhe transferimin e tij në ambientet e burgut të të miturve në Kavajë.
Gjykata e Tiranës, sektori për të miturit vlerësoi si të ligjshëm arrestimin policor, duke caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, por 14-vjeçari ka vijuar të qëndrojë në spitalin Privat me argumentin e familjarëve se ai po mjekohet për shkak të plagës që ka në dorë dhe po trajtohet me një psikolog.
Teksa hetimet për ngjarjen tronditëse pranë shkollës Fan Noli vijojnë, grupi hetimor ka tashmë si provë edhe thikën që dyshohet se u përdor në sherrin mes të rinjve që përfundoi në vrasje.
