“Një i dytë ka qëlluar me thikë”, Babai i të plagosurit, ftohet të pyetet sërisht në polici. Mario Përlleshaj këtë javë drejt burgut të Kavajës

Fiqiri Meçe, babai i 14-vjeçarit L. Meçe që mbeti i plagosur rëndë në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, është ftuar nga Policia e Tiranës të meret në pyetje për herë të dytë.

Shkak i kësaj kërkese, për tu ripyetur është bërë dalja e tij publike dhe nxjerja e një emri tjetër si bashkëpuntor në vrasjen e 14-vjeçarit, Martin Cani dhe plagosjen e shokut të tij, L.Meçe.

Meçe, ka deklaruar publikisht se ngjarja nuk ka vetëm një autor krimi siç është i arrestuari, Mario Përlleshaj, por ka dhe bashkëpuntor.

Sipas tij, bashkëpuntori i Përlleshaj është 14-vjeçari tjetër Kledjon Begaj, bashkëmoshatar dhe shok i ngushtë i autorit tjetër, i cili ditën e ngjarjes ka pasur një thikë më të shkurtër dhe ka qëlluar në shpinë Martin Canin si dhe djalin e tij, L.Meçe.

Këtë fakt Fiqiri Meçe, e ka treguar dhe në polici kur është pyetur për herën e parë.

Pritet që në ditët në vijim Meçe të ripyetet sërisht për detaje konkrete që ka mësuar rreth Kledjon Begaj si dhe pretendimeve të tij, lidhur me format e presionit që ka bërë inspektori i policisë kur është paraqitur për të pyetur djalin e tij në Spitalin e Traumës.

Nga ana tjetër policia e Tiranës nuk ka marë asnjë masë ndaluese për Kledjon Begaj, megjithëse ai është marë në pyetje dhe më pas është lënë i lirë.

Ndërkohë pritet që nesër një grup i përbërë nga policia e burgjeve, një psikiatër, një sociolog të paraqiten në ambjentet e spitalit privat në Tiranë, për të marë kontakt me Mario Përlleshaj me qëllim transferimin e tij në ambjentet e burgut të të miturve në Kavajë.

Ndaj Përlleshajt Gjykata e Tiranës tre ditë më parë vlerësoi si të ligjshëm arrestimin policor, duke caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.

Por ndryshe nga çfarë ka vendosur gjykata, 14-vjeçari ka vijuar të qëndrojë në spitalin Privat në Tiranë, me argumentin e familjarëve se ai po mjekohet për shkak të plagës që ka në dorë dhe po trajtohet me një psikolog.

Pritet që këtë javë Mario Përlleshaj të transferohet në burgun e të miturve në Kavajë.