Noka: Mosbindja civile, e vetmja rrugë për qeveri teknike. Buxheti i hajdutërisë, i fundit i kësaj qeverie

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka bëri thirrje për të shtuar akoma më shumë aksionin politik.

Gjatë prezantimit të drejtuesit politik për Rrogozhinën dhe Kavajën, Fisnik Qosen, deputeti i PD theksoi se mosbindja civile është e vetmja rrugë për qeveri teknike.

Noka u ndal edhe tek buxheti 2025, që siç tha ai do të jetë i fundi i kësaj qeverie.

Sipas tij, kjo qeveri tallet me pensionistët, në një kohë kur në Kosova, pensioni rritet me 20%.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, premtoi se minimumi jetik në Shqipëri kur opozita të vijë në pushtet do jetë 200 euro, ndërsa paga minimale 500 euro.

“Është koha të ngrihemi, është koha që ne të jemi të gjithë në aksion, është koha e mosbindjes civile si rruga e vetme për ti dhënë Shqipërisë qeveri teknik dhe votën e lirë.

Ne kemi sot në dorë që të sjellim drejtësinë. Kemi në dorë që të sjellim barazi para ligjit për çdo qytetar dhe jo për hajdutët e opozitës krime intelektuale dhe për opozitën burg.

Ky buxhet që po e shet Edi Rama si të suksesshëm, ky është buxheti i hajdutërisë, por do jetë buxheti i fundit i kësaj qeverie.

Ne duhet të ngrihemi dhe të shtojmë aksionin tonë, nuk mjafton vetëm retorika politike, duhet kontakti me qytetarët, në komunikim me njerëzit për të trajtuar hallet e tyre.

Duhet të dalim nga burokracia, duhet të jemi me qytetarët. Është i vetmi shans që kemi për qeveri teknike dhe drejt pushtetit për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Noka.