Melania refuzoi ta takonte, Jill Biden i jep një letër Trump për bashkëshorten: E gatshme t’ju ndihmoj për…
Zonja e Parë Jill Biden iu bashkua bashkëshortit të saj Presidentit , Joe Biden në përshëndetjen e Donald Trump në mbërritjen e tij në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën.
Gruaja e Trump, Melania nuk u bashkua me të, por Shtëpia e Bardhë tha se zonja Biden i dha Trumpit një letër urimi të shkruar me dorë për Melania, e cila shprehte gjithashtu ‘gatishmërinë e ekipit të saj për të ndihmuar me tranzicionin’.
Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump dhe presidenti Joe Biden, rivalë të vjetër politikë, u takuan të mërkurën për herë të pare, që kur Trump fitoi Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar dhe të dy premtuan një transferim të qetë të pushtetit në janar.
Dy liderët u ulën krah për krah përpara një zjarri të ndezur në Zyrën Ovale, një skenë paqësore që përgënjeshtroi tensionet mes tyre.
Biden, një demokrat, mundi Trumpin në zgjedhjet e 2020, por u largua nga gara e 2024 në korrik pas një debati katastrofik me republikanin.
Ai ia dorëzoi kandidaturën e tij nënpresidentes Kamala Harris, e cila humbi.
Ishte një kontrast i mprehtë, me kritikat që dy burrat i kanë bërë njëri-tjetrit prej vitesh.
Ekipet e tyre përkatëse mbajnë qëndrime shumë të ndryshme për politikat nga ndryshimet klimatike në Rusi dhe tregti.
Autokolona e Trump kaloi nëpër portën e Shtëpisë së Bardhë të mbrojtur shumë.
Biden përshëndeti ish-presidentin dhe atë të ardhshëm në Zyrën Ovale.
