Musk dhe Mattarela, replika në distancë për vendimet e gjykatësve të Romës lidhur me emigrantët e Gjadrit
Elon Musk, tashmë i konfirmuar pjesë e administratës së presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump është përfshirë në replika në distancë me presidentin Italian, Sergio Mattarella!
Shkak për debatin u bënë komentet e njeriut më të pasur të botës për vendimet e gjykatësve të Romës për kthimin e emigrantëve të paligjshëm nga qendrat e ndalimit në Shqipëri për në Itali.
Musk kritikoi zinxhirin e vendimmarrjes në Itali, ndërsa shpërndan informacionin e një përdoruesi në rrjetin e tij social që thotë se kufijtë e vendit evropian do të mbesin hapur
“Kjo është e papranueshme. A jeton populli i Italisë në një demokraci apo një autokraci e pazgjedhur i merr vendimet?”, u shpreh Ai në një postim
Më herët të mërkurën Musk kërkoi largimin e gjykatësve që sipas tij po bllokojnë zbatimin e protokollit mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e fluksit të emigrantëve të paligjshëm.
Por reagimi i Presidentit Italian, Sergio Mattarella ishte i fortë dhe i prerë!
“Italia është një shtet i madh demokratik dhe më duhet të ritheksoj, fjalët e thëna në një rast tjetër më 7 tetor të vitit 2022, që ‘di të kujdeset për veten në përputhje me Kushtetutën e saj’”, nënvizoi kreu i shtetit italian.
“Kushdo, veçanërisht nëse, siç është paralajmëruar, do të marrë një rol të rëndësishëm qeveritar në një vend mik dhe aleat, ai duhet të respektojë sovranitetin e tij dhe nuk mund të marrë përsipër detyrën për t'i dhënë receta”, vijon reagimi i kreut të Shtetit Italian
Reagim të ashpra pas komenteve të Musk erdhën edhe nga shoqata për mbrojtjen e anëtarëve të sistemit të drejtësisë në Itali, duke i kërkuar që “duhet të ketë kujdes që të mos shkelë kufirin e ndërhyrjes në çështjet e një shtetit tjetër.
Qeveria “Meloni”, ndërkohë ka bërë të qartë se do të vazhdojë përpara me zbatimin e marrëveshjes së emigranteve me Shqipërinë


