“Gocat” sjell në Tiranë artistin Naim Spahiu/ “Pas një muri ka mure të tjera" Një manifest publik për gjurmët e kohës

Në galerinë Gocat në tiranë është hapur ekspozita e parë e artistit kosovar Naim Spahiu. E titulluar pas një muri ka mure të tjera shfaqet si një refleksion mbi pasojat e kohës dhe sfidat

Galeria "GOCAT" hapi ekspozitën e pare në Shqipëri të artistit kosovar Naim Spahiu, titulluar "Pas një muri ka mure të tjera".

Ekspozita, që do të mbetet e hapur deri më 30 nëntor, fton vizitorët të reflektojnë mbi pasojat e kohës dhe sfidat që ajo na imponon, ndërkohë që kërkon të tregojë se pas çdo pengese ndodhen mundësi të reja.

Cikli i punimeve të Spahiut është rezultat i një hulumtimi dy vjeçar dhe është ndërtuar mbi material të gjetura, si mbulesa karrocerish kamionësh të vjetra, të cilat artisti i ka transformuar në vepra arti.

Çdo punim është një pasqyrë e raportit të njeriut me kohën, duke përfshirë pasojat e ngjarjeve historike si lufta e Kosovës dhe sfidat që ato lënë pas. Një element tjetër dallues është se çdo vepër ka diçka për të treguar nga çdo kënd.

“Gjurmë te kohës fshihen edhe aty ku ka dritë, edhe aty ku nuk ka. Është një zgjedhje e imja të flas për to përmes rrugës së artit.”

Galeria “GOCAT” ofron mundësi falas për artdashësit dhe artistët të shijojnë dhe të promovojnë artin bashkëkohor, ndërsa së bashku nxisin një dialog përmes ekspozitave të ngjashme si kjo e Naimit Spahiut.