“Agnesa e Zotit”, drama me regji të Kiço Londos në sallën e Universitetit të Arteve

Laura Nezha, Eni Jani dhe Violeta Trebicka sollën mbrëmë në sallën e Universitetit të Arteve, shfaqjen teatrale “Agnesa e Zotit”. Trioja interpretoi nën regjinë e të mirënjohurit Kiço Londo, mbi mitin e paparashikueshëm të nënës dhe natyrës njerëzore. Spektatori ishte dëshmitar i interpretimit modern, tronditës dhe njerëzor të treshes së aktoreve.

“Agnesa e Zotit” është një dramë e vitit 1979 nga dramaturgu amerikan John Pielmeier, i cili tregon historinë e një murgeshe të re (interpretuar nga Laura Nezha) që lind një fëmijë në manastir dhe këmbëngul se foshnja erdhi si rezultat i ngjizjes së virgjër. Pasi fëmija gjendet i vdekur, një mjeke psikiatre (interpretuar nga Eni Jani) dhe nëna eprore e kuvendit (interpretuar nga Violeta Trebicka) përleshen gjatë hetimit për zbardhjen e ngjarjes.

“Agnesa e Zotit”, drama me regji të Kiço Londos në

“Drama është një vepër që provokon mendime. Ajo vë në pikëpyetje siguritë ligjore, psikiatrike, fetare dhe ekzistenciale, duke ekspozuar paqartësitë morale, duke përdorur një dialog jashtëzakonisht gazmor, dramatik, i cili është plot humor dhe zgjuarsi”, është shprehur vetë regjisori më herët, për mediet.

Drama “Agnesa e Zotit” do të vijojë të luhet edhe sonte e nesër (6 dhe 7 nëntor) në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë. /ATSH