“Babë u Kry” – Autori Bislim Ahmetaj: Romani, një triller që “Baba” është aty me shprehjet e tij, por jo me ngjarjet

Mëngjesi i lajmeve në “Ora News” nisi ndryshe këtë të premte, me mesazhe të forta për familjen dhe prindërit.

Gjithçka mori shkak nga “Babë u Kry”, romani më i fundit i sjellë në terg nga shtëpia botuese “Littera” i pedagogut, poetit dhe gazetarit Bislim Ahmetaj.

"Ati si perendi, si gjest, si autoritet, si dashni dhe mall", është shprehur diku shkrimtari Mark Simoni për librin në fjalë.

Së bashku me romanin e sipërpërmendur, Ahmetaj ka sjellë dhe një botim me poezi të titulluar “Kangët e Babës” dhe sërish në dukje gjendet babai.

“Librat janë pasioni im poezitë janë të shkruara në 7 vitet e fundit”, u shpreh Ahmetaj.

“Babë u Kry” – Autori Bislim Ahmetaj: Romani, një

Por i pyetur nga moderatorja Lili Saraçi: “pse baba?”, Bislim Ahmetaj, rrëfeu se romani është një triller që nuk ka në sfond thjesht babain e tij, por familjen si institucion.

“Aty ka histori, sepse sa ç’është Tirana e viteve 1920 aq është Tirana e 2024-ës. Janë dy linja që fillon në vitet 1930 dhe mbaron në vitin 1944.

Është një libër që tregon se familja është unike. Dhe personazhi kryesor është i ngarkuari me punë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të bërë reformën në drejtësi.

Ngjarjet që kanë ndodhur kanë qenë reale, dhe janë po aq reale ato që pritet të ndodhin, dhe i veshur me një imagjinatë timen dhe me një triller në mes”, theksoi Bislim Ahmetaj.

Por sa ka ndikuar babai tek autori në këto dy botime?

Kjo pyetje u duk sikur zgjoi tek autori nostaligjinë dhe mallin për ikjen në amshim të të atit.

“Ne ishim gjithë kohën bashkë, dhe ne ishim shokë se sa kishim një marrëdhënie baba – bir. Ai ishte shumë i zgjuar dhe i ditur nga përvoja e jetës së tij.

Ikja e prindit është brengë për këdo. Nëna është dhimbje, por më ka munguar babai pasi kam kaluar shumë kohë me të dhe kurrë nuk mërzitesha duke ndenjur me të.

Shpeshherë më kujtohen fjalë të tij që janë shkruar sigurisht të gjitha në libër”, u shpreh ndër të tjera autori Bislim Ahmetaj.

“Kangët e Babës”

“Babë u Kry” – Autori Bislim Ahmetaj: Romani, një

Libri “Kangët e Babës“, nuk na vjen vetëm si befasi e këndshme e ligjërimit poetik, por edhe si dëshmi e një identiteti të formësuar letrar e kulturor. Në poezitë e një stili imazhist, të përcjellura me një gjuhe të fuqishme e të pasur stilemash poeti shfleton kujtime dhe refleksione nga jeta, aso që rrjedhin nga thellësitë e zemrës, ku prania e babait shfaqet jo vetëm si një kujtim i mbushur mall e dhembje, por edhe si një forcë frymëzuese që vazhdon të ushqejë krijimtarinë e tij.

Çdo rrëfim këtu flet për dashurinë, humbjen, por edhe shpresën. Libri është një udhëtim emocional brenda kozmosit poetik që sfidon lexuesin, duke reflektuar mbi rëndësinë e lidhjeve familjare dhe ndikimin e tyre të pashlyeshëm në formimin e identitetit, jo vetëm personal. Ahmetaj, na kujton se rrëfimet e marra nga prindërit, tingëllojnë si një shkollë e veçantë jetësore, dhe si të tilla janë e mbesin thesari më i çmuar që mbajmë me vete e bartim përtej vetes.

PËR AUTORIN:

“Babë u Kry” – Autori Bislim Ahmetaj: Romani, një

Bislim AHMETAJ u lind në Bajram Curri me 17 Gusht të vitit 1967. U diplomua në Universitetin Bujqësor të Tiranës për Veterinari dhe Ekonomi. Në vitin 1990 u përfshi në politikë si organizator dhe drejtues i protestave studentore.

Është anëtar themelues i Partisë Demokratike të Shqipërisë, pjesëmarrës në grevën e urisë së shkurtit 1991, drejtues ndër vite i Grupimit “Dhjetor ‘90”, përherë i angazhuar në kauza me fokus patriotizmin qytetar dhe interesin publik.

Është specializuar në fushën e politikave ekonomike dhe marketingut në Austri , Angli, Spanjë dhe Japoni. Mban gradën shkencore Doktor i Shkencave Ekonomike dhe prej 2013 është lektor me kohë të plotë pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës. Gjithashtu ka qënë profesor i ftuar në Universitetin e Tiranës, Wisdom University, Albanian University, Universitetin Luarasi etj.

Ahmetaj ka një karrierë profesionale të larmishme, duke mbajtur poste të ndryshme në administratën e lartë publike të vendit. Mes vokacionit politik, interesit për administratën dhe jetën akademike, Bislim Ahmetaj e ruan të pa prekur pasionin e tij letrar. Shkruan poezi, publicistikë dhe prozë.

NDËR VITE KA BOTUAR KËTA LIBRA:

“Lot Dreri”, poezi, 1994

“Unë Amërika, bin Ladeni e të tjerët”, ese, 1999

“Trishtim blu”, poezi, 2000

“Kthimi i peshkatarëve” , tregime, 2009

“Dhjetor ’90-Mbaj mend”, kujtime, refleksione, bashkëautor, 2011

“Gjuetar ëndrrash”, poezi, 2012,

“Edhe zogjtë i mashtrojmë”, poezi 2017.

“Jorgoja i Tropojës”, tregime, 2021

Është i përfshirë në antologji poetike me poet të zgjedhur në Rumani dhe Gjermani

Fragment nga romani "BABË, U KRY!"

2.

Pranverën e vitit 1932, në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, Jak Nikolla ishte njëqind e tetëdhjetë e tetë centimetër, peshonte shtatëdhjetë e shtatë kilogramë, kishte trup atleti dhe ishte aq i pashëm, sa mund të xhelozonte lehtësisht çdo artist kinemaje të asaj kohe. Gjatësinë dhe peshën i mësoi pikërisht kur iu nënshtrua testit fizik për t’u regjistruar në Akademinë Ushtarake të Torinos.

Jaku, prej Mserrit të Epërm, ishte i pari nga katundi i tij, me tetëdhjetë shtëpi, por edhe nga rrethinat e tjera, që kishte mundur të shkonte në një shkollë të lartë ushtarake e të njohur prej tërë botës. Dhe këtë e pati dhuratë e shpërblim nga të parët e fisit të tij, që kishin rënë në Gjakovë thuajse njëqind vjet më parë.

Të vetmit nga oxhaku Gazulli që kishin vendosur t’i ruanin trojet dhe t’i rezistonin çdo pushtuesi, ishin gjyshi dhe babai i Jakut, ndonëse vëllezërit e këtij të fundit u qenë lutur me dhjetëra herë që të zbrisnin me ta në Gjakovë. Por lutjet ranë në vesh të shurdhër; asnjëri prej të dyve nuk u luhat aspak në vendimin për të mos e braktisur truallin e të parëve, duke vazhduar kështu traditën e ruajtjes së emrit të mirë të familjes, besnikë të kanunit dhe fesë të paraardhësve.

Njëri prej Gazullëvë të Gjakovës, burrë n’zë edhe me pare, dikur ish ngjitur të takonte të afërmit e tij në Mserr të Epërm. Aty i pat pëlqyer fort Jaku i shkathët e i mirë. I mahnitur pas tij, i ra në besë Nikollë Gjeloshit të Gazullëve:

- Pash Krishtin dhe kanunin, falma kët’ deli djalë! E shoh se ashtë për shkollë, mbaj të tjerët për pushkë e për bagëti. Ndoshta edhe Jaku bahet i pushkës, po pse mos me kanë edhe i penës dhe i librave?

Nikollë Gjeloshit i qe shtrënguar zemra nga kjo kërkesë e beftë, por, në shenjë zakoni, ia dha me shpirt djalin e jo veç që ai të shkollohej, por edhe për të mbajtur gjallë lidhjet me fisin e zbritur në krye shekullit të shkuar në Gjakovë. Nuk duhej të harrohej gjaku!

Jak Nikollë Gjelosh Gazulli aso kohe ishte trembëdhjetë vjeç. Përveçse i shkathët dhe i dëgjuar, dinte shkrim e këndim. Kish mësuar nga frati i krahinës, i cili, një herë në muaj, çonte meshë edhe në kishën e vogël të katundit të tyre e, pas saj, i mblidhte të gjithë fëmijët e katundit, djem dhe vajza, dhe u mësonte shkrim e këndim në gjuhën amtare.

Kur mbërriti në Gjakovë, Jaku, ditët e para u shoqërua me kushërinjtë dhe kushërirat. Disa më të mëdhenj e ca më të vegjël, por prej tyre mësoi çka ishte dashuria e gjakut të ndarë. Fillimisht, ata e këqyrën si të vinte prej një fisi të egër, ndërsa ai çuditej me ata njerëz, që i dukeshin aq ndryshe nga sa kish parë deri atëherë. I bënte përshtypje veshja e tyre, si rrinin, si flisnin, sendet nëpër shtëpitë e mëdha dhe të mbushura me dritë. Botë tjetër komplet, që deri atëherë s’i kishte përkitur e as e kishte imagjinuar. I mbyllur mes malesh, nuk e dinte çfarë jete bëhej rrëzë apo poshtë tyre. Megjithatë u adoptua shumë shpejt me realitetin e ri, që i pëlqeu jashtëzakonisht shumë, pavarësisht se e kishte dashur dhe e donte akoma edhe atë që kishte lënë pas, njerëzit dhe shtëpinë e tij, katundin mes reve dhe veshjet e trasha dhe tradicionale të malësorëve.  

Pas pak ditësh, Jakun e regjistruan në Seminarin Françeskan të Pejës. Në krye të çdo muaji, ndonjëherë edhe më shpesh, ai e linte konviktin dhe vizitonte me radhë shtëpitë e Gazullëve, të cilët prej vitesh ishin bërë lagje e njohur në Gjakovë. Të gjithë e mirëprisnin krahëhapur e djali ndihej për bukuri të zotit në gjirin e fisit të vet. Zemra e tij ishte zgjeruar shumë e brenda saj, tashmë, kishin hyrë edhe njerëz të rinj.

Për çdo verë dilte dhe çmallej me familjen dhe krejt katundin në Mserr të Epërm, por nuk harronte të shkonte edhe te dajat në Shalë të Dukagjinit, prej nga e ndante Qafa e Agrit dhe nja tri a katër orë rrugë në këmbë. Kur kthehej në shtëpi, i vinte pak marre prej vetes, se tash Jaku vishej me pantallona, këmisha e xhaketa, krejt ndryshe nga veshja e malësorëve, të cilët, qysh fëmijë, përdornin çakshirë, këmisha të bardha, jelekë të zbukuruar me fije ari dhe të qëndisur me penj leshi të kuq. Moshatarët e tij mbanin mbi krye plisa të bardhë, bash si bora mbi malet përreth, që nuk shkrinte kurrë, as në dimër dhe as në verë. Shumica e atyre djelmoshave në ato maja bjeshkësh mbanin edhe pushkë mbas krahëve, besa edhe me fishekë në vezme.

Më pas u erdhi radha edhe studimeve në Pejë e mbasandaj atyre në Itali, që jo vetëm e formuan si njeri të ditur, por edhe ia forcuan edhe më shumë ndjenjat atdhetare.

Kur shkoi në Torino, iu shfaq përpara një botë tjetër edhe më e madhe, krejt e ndryshme nga ajo që kish lënë pas. I pëlqeu shumë ai qytet italian, me kulturë dhe hapësira të pamata për sytë e një malësori. Por ai kishte aftësinë të përshtatej menjëherë, kudo ta hidhte fati. E kështu ndodhi edhe këtë herë.

Gjatë studimeve, Jaku u njoh me shumë patriotë shqiptarë, nga të gjitha viset ku flitej shqipja. Lidhi miqësi me djem prej familjesh të mëdha, që studionin jo vetëm në Akademinë Ushtarake të Torinos, por edhe nëpër universitete të tjera; kush për mjekësi, kush për filozofi apo për shkenca ekzakte. Mblidheshin për çdo të shtunë e të diel nëpër kafet e qytetit dhe qanin hallet e familjeve dhe të atdheut të tyre.

Aty u njoh me Ali Ohrin, me origjinë nga Manastiri, i cili, për çudi, kishte lindur në Lushnje. E për t’u habitur edhe më shumë, Aliu, edhe pse mysliman, kishte studiuar në kolegjin e famshëm të françeskanëve në Shkodër, me mbështetjen e drejtpërdrejtë jo vetëm financiare, por edhe morale të At Gjergj Fishtës. At Gjergji, më i madhi shkrimtar dhe klerik i shqiptarizmës, ishte miku i babës së Aliut. Ishin njohur pikërisht atëherë kur At Gjergji kishte udhëhequr Komisinë Letrare për vendosjen e alfabetit shqip në Manastir. Atë botë, i ati i Aliut kish mbledhë burrat e krahinës për ta mbrojtur me pushkë shtëpinë ku po zhvillohej Kuvendi i Alfabetit, nga bandat sllavo-greke, të cilat kishin bërë gjithçka për të penguar shkrimin e gjuhës shqipe në alfabetin latin. Sllavë, turq e grekë kërkonin me çdo kusht që për shqipen, nëse do kishte fatin të shkruhej ndonjëherë, duhet të përdoreshin o shkronjat arabe, o ato cirilike.

Me Aliun, shpesh bënin shaka edhe italianët, të cilët habiteshin dhe u dukej e pazakonshme toleranca fetare me të cilën ishin edukuar shqiptarët. “Edhe Ali, edhe françeskan”, e ngacmonin ndonjëherë, por Aliu s’e prishte terezinë. Herë me humor e herë seriozisht, ua kthente: “Françeskanë a myslimanë, në krye të herës jemi shqiptarë. Kështu më ka mësuar At Gjergj Fishta e kështu do mendoj deri ditën e vdekjes”.

Jakut i gëzohej zemra nga ajo përgjigje e mikut të vet. Miqësia e tyre do zgjaste përgjithmonë, edhe pse rrugët do t’u ndaheshin pas mbarimit të studimeve.