Strategjitë e sigurisë kibernetike, konferenca dyditore në Tiranë platformë për adresimin e mangësive

Konferenca dyditore për sigurinë kibernetike, organizuar nga UNDP Shqipëri, UNDP në Stamboll dhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, në bashkëpunim me Partneritetin Sllovak-UNDP dhe Çek-UNDP, përfundoi punimet dyditore.

Ky takim mblodhi agjenci të sigurisë kibernetike nga Ballkani Perëndimor, Moldavia dhe Gjeorgjia për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet tyre dhe për të ndihmuar në zhvillimin e strategjive të forta. Pavarësisht progresit të rëndësishëm në formulimin e politikave dhe krijimin e agjencive të sigurisë kibernetike, mbeten ende sfida kyçe.

Zhvillimi i kërkimeve akademike në fushën e sigurisë kibernetike është ende në faza të hershme, duke kufizuar kështu inovacionin dhe zhvillimin e kapaciteteve në këtë fushë jetike.

Takimi shërbeu si një platformë e rëndësishme për adresimin e këtyre mangësive, duke ofruar mundësi për bashkëpunim rajonal për të forcuar kuadrin e sigurisë kibernetike. Përvoja e gjerë e UNDP-së në mbështetjen e politikave e pozicionon atë si një partner të vlefshëm për të ndihmuar ekonomitë e rajonit në përafrimin e legjislacionit të tyre të sigurisë kibernetike me ligjet evoluese të BE-së, veçanërisht për ato që janë në proces integrimi në BE.

Ky takim vendosi gjithashtu themelet për Dialogjet Globale të Politikave Kibernetike për Ballkanin Perëndimor, që do të zhvillohen në Tiranë më 20-21 nëntor 2024. Këto dialogje do të kontribuojnë më tej në ndërtimin e qëndrueshmërisë dixhitaledhe forcimin e bashkëpunimit për sigurinë kibernetike në të gjithë rajonin.

Duke forcuar aftësitë e përbashkëta të sigurisë kibernetike, Ballkani Perëndimor, Gjeorgjia dhe Moldavia do të jenë më të përgatitur për të përballuar sfidat në rritje të epokës dixhitale, duke siguruar një të ardhme më të sigurt dhe më të mbrojtur për të gjithë.

“Partneriteti ndërmjet UNDP Shqipëri dhe Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike të Shqipërisë tregon rëndësinë e bashkëpunimit në promovimin e qëndrueshmërisë në sigurinë kibernetike. Duke forcuar partneritetet në sektorë kritikë, përfshirë financat, energjinë, shëndetësinë dhe transportin, bashkëpunimi rajonal mund të forcojë mbrojtjen kombëtare dhe të rrisë sigurinë e infrastrukturave jetike,” tha Igli Tafaj, drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike të Shqipërisë.