Gjirokastër, Komiteti i Mbrojtjes Civile takim mbi masat për emergjencat e shkaktuara nga rreziqet natyrore

Prefekti i qarkut Gjirokastër, Odise Kote në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Mbrojtjes Civile, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me fokus mbi masat që duhen ndërmarrë në raste të rreziqeve natyrore.

Në takim morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, kryetar i qarkut, Dino Selimi dhe kryetarët e bashkive të qarkut.

Gjithashtu nëpërmjet këtij takimi u njoftua çelja e thirrjeve për aplikim projektesh, për të gjitha njësitë e qeverisjes vendore në kuadër të mbrojtjes civile, për investime infrastrukturore; investime në rehabilitimin e digave të rezervuarve; blerje mjetesh në kuadër të fuqizimit të kapaciteteve.

Një hapësirë diskutimi më vete gjatë takimit iu kushtua analizimit të ngjarjeve emergjente të këtij viti dhe mangësitë e konstatuara, përdorimi me efikas të 4% të buxhetit bashkiak në interes të emergjencave, si dhe rëndësia e përgatitjes serioze e intensive në rast të situatave emergjente të mundshme.

Nga ana e kryetarëve të bashkive u paraqitën problematikat kryesore në lidhje me menaxhimin e situatave emergjente, krijimin e infrastrukturës së nevojshme e deri tek mobilizimi i përgjithshëm i të gjithë forcave e mjeteve.

Ndër të tjera, prefekti Kote tha se “duhet gatishmëri e lartë e efektivave, vigjilencë dhe maturi në zbatimin e protokolleve”.

Kote e vuri theksin edhe te bashkëpunimi e ndërveprimi midis të gjithë faktorëve përmes një plani kapilar, i cili sipas tij është jo vetëm detyrë e përhershme, por dhe një mision për të shpëtuar jetë njerëzish.