Berisha: Narkopolicia jo vetëm që nuk e mori në mbrojtje Arlind Bushatin, por as nuk denjoi të dëgjojë shpjegimet e tij

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka hedhur akuza të rënda në drejtim të Policisë së Shtetit në lidhje me masakrën e djeshme në Shkodër, ku mbetën tre viktima, Hamza Lici, Arlind Bushati dhe një grua e pafajshme e cila po udhëtonte me motor sëbashku me burrin e saj.

‘Narkopolicia jo vetëm që nuk e mori në mbrojtje Arlind Bushatin, por as nuk denjoi të dëgjojë shpjegimet e tij’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Berisha: Miqtë e mi, pasdite dje, tek kthehesh në shtëpi te tre fëmijët e saj, ra, humbi jetën Flutura Basha. Bashkëshorti i saj lufton me vdekjen në shtratin e spitalit. Dy të rinj, Hamza Liçi, Arlind Bushati, 23 dhe 33 vite, u korrën nga breshëritë e vrasësve në pritë. Një masakër e mirëfilltë, një dramë. Tre njerëz humbën jetën, një i katërt në gjendje të rëndë. Tre fëmijë të familjes Basha mbetën pa nënë, por miqtë e mi, ky ishte një krim i paralajmëruar. Kjo dramë, kjo masakër mund të ishte parandaluar dhe shmangur plotësisht.

Çifti Basha mund të kishte mbërritur mbrëmë në shtëpinë e vet dhe sot do të ishte së bashku në shtëpi me fëmijët e tyre. Po kush mund të parandalonte këtë krim, më thoni ju mua? Narkopolicia e Edi Ramës, që është njësh me krimin? Kujtoj se jo më larg se në shtatort, Arlind Bushati tek pinte kafe me shokët e vet, pa vrasësin serial që i drejtuan armën por nuk i shkrepi për t’i marrë jetën. Por çfarë bëri policia para këtij akti? Narkopolicia jo vetëm që nuk mori në mbrojtje Arlindin, por as nuk denjoi as të dëgjojë shpjegimet e tij! Kurse vrasësi, të cilin e njeh gjithë Shkodra, as nuk u mor në pyetje, as nuk u thirr, as nuk iu kontrolluar shtëpia, sepse vrasjet, masakrat dhe terrori janë mjetet me të cilat Edi Rama kërkon të sundojë dhe tmerrojë Shkodrën, ashtu siç mori mandatin e bashkisë, kërkon të marrë mandatin e deputetit.