Prokuroria Speciale, dy të dyshuar për krime lufte në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon dy persona për krime lufte në Kosovë, ndaj të cilëve ka ngritur aktakuzë. Për momentin janë publikuar vetëm inicialet, ndërsa ky është rasti i katërt që specialja ngre aktakuzë në dy muajt e fundit.

Dy persona janë akuzuar së fundmi nga Prokuroria Speciale e Kosovës për krime kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë.

Ata janë identifikuar vetëm me inicialet S.S dhe M.S, ndërsa ngjarjet për të cilat akuzohen kanë ndodhur përgjatë viteve 1998-1999.

Sipas dyshimeve të Prokurorisë, dyshohet se ata kanë kryer vrasje, keqtrajtime fizike dhe psikike si edhe plaçkitje të pasurisë së luajtshme të popullsisë civile.

“Ekziston dyshimi i bazuar se në periudhën kohore 1998 – 1999, me dashje dhe në bashkëkryerje e kanë kryer veprat penale, krimi i luftës kundër popullsisë civile”, tha prokuroria në një njoftim për media.

Në harkun kohor të dy muajve të fundit kjo është aktakuza e katërt e ngritur nga Prokuroria Speciale për krime lufte në Kosovë.

Që nga dhjetori i vitit 2023, Specialja ka njoftuar se janë ngritur gjithsej 33 aktakuza, që përfshijnë 89 persona.

Ndërkaq, prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Së fundmi në Hagë po përballen edhe drejtues të lartë të UÇK-së, mes tyre Hashim Thaçi, Kadri Veseli etj.

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-'99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.