Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë, orë informuese mbi kancerin e gjirit

Në kuadër të “Tetorit Rozë”, Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë organizoi një orë informuese mbi kancerin e gjirit.

Në këtë orë informuese u trajtuan tema të rëndësishme për parandalimin, kujdesin dhe trajtimin e hershëm.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu theksoi në një postim në rrjetet sociale se gjatë aktivitetit, u theksua se çdo grua duhet të tregojë kujdes të vazhdueshëm për shëndetin, duke kryer vizita të rregullta mjekësore, pasi diagnostikimi i hershëm shpëton jetë.

“Tetori Rozë” është muaji ndërkombëtar i ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit.

Gjatë këtij muaji, organizohen fushata për të inkurajuar gratë që të kryejnë kontrolle të rregullta, si mamografia, që ndihmojnë në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Simboli kryesor i kësaj fushate është shiriti rozë, i cili përfaqëson mbështetjen dhe solidaritetin me të prekurat nga kjo sëmundje, si dhe angazhimin për parandalim dhe kujdes të vazhdueshëm shëndetësor.

Qëllimi është të rritet numri i ekzaminimeve për kapjen e hershme të kancerit dhe për rritjen e mundësive për një shërim të plotë të gruas. Për të rritur ndërgjegjësimin, përgjatë gjithë muajit tetor, organizohen aktivitete të ndryshme, me pjesëmarrjen edhe të politikaneve, artisteve, gazetareve e të tjera gra me ndikim, të cilat japin mesazhe inkurajuese në mënyrë që kjo nismë të përqafohet nga sa më shumë gra.