Misteri i vdekjes së 13-vjeçares shqiptare në Itali! Familja denoncon: Ishte xheloz

Një ngjarje tronditëse ndodhi më 25 tetor në Itali, ku një 13-vjeçare shqiptare humbi jetën tragjikisht, pasi ra nga kati i 7-të i banesës së saj.

Autoritetet italiane tashmë kanë nisur hetimin në gjendje të lirë për të dashurin e saj 15-vjeçar, i cili siç përshkruhet nga familjarët e të miturës ka qenë shumë xheloz.

Autopsia e trupit të 13-vjeçares që ndërroi jetë të premten u krye pasditen e sotme në Pavia nga mjeku ligjor Giovanni Cecchetto.

“Rezultati do të jetë vendimtar për rindërtimin e dinamikës. Bashkë me dëshmitë e mbledhura dhe konstatimet e bëra nga karabinierët, do të mund të rindërtojmë dinamikën e kësaj ngjarje shumë të trishtë”, tha avokatja Lorenza Dordoni, e cila asiston nënën e trembëdhjetë vjeçares.

Familja e 13-vjeçares do të paraqesë një deklaratë me elementë të rinj në Prokurorinë e të Miturve. Po ashtu do të prezantohen dokumente, komunikime të vajzës që tregojnë sjelljen obsesive të dashurit 15-vjeçar.

Familja e vajzës nuk e ka besuar asnjëherë se 13-vjeçarja është vetëvrarë , siç pretendonte i dashuri dhe është e bindur se është një vrasje.