Linjat e trafikut të kokainës, Adnand Xholi, Dumani e Kaçkini shkojnë në Brazil për bashkëpunim. Dy rastet e drogës të kapur në Brazil hetohen nga SPAK
Implikimi i disa shqiptarëve në linjat e trafikut të kokainës nga Brazili në drejtim të Porteve të Evropës, ka sjellë domosdoshmërinë e një vizite në vendin më të madh të Amerikës Latine, nga Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani.
Së bashku me Altin Dumanin, pjesë e delegacionit nga Shqipëria në drejtim të Brazilit, është dhe zv/drejtuesi i SPAK, z. Adnand Xholi dhe prokurorja e SPAK, Elida Kaçkini.
Grupi i prokurorëve pritet të marë pjesë në një konferencë të rëndësishme të prokurorëve që do zhvillohet në Brazil.
Por gjatë kohës së qëndrimit në këtë shtet, Dumani dhe dy prokurorët e tjerë mësohet se do zhvillojnë takime dhe me drejtues të prokurorisë së Brazilit, ku qëllimi është ngritja e skuadrave të përbashkëta hetimore për rastet kur në trafikun e kokainës konstatohet se janë të implikuar dhe shqiptarë.
Rasti i parë ku SPAK ka interes për të pasur bashkëpunim me autoritet Braziliane, është ai i zhvilluar në 30 Maj 2023.
Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka mësuar se në këtë datë prokuroria e posaçme SPAK ka pasur një praktikë hetimore me autoritet e Brazilit, lidhur me trafikun e 69 kg kokainë të sekuestruar në datën 18 Maj 2021 në anijen “NSC Atros”.
Nisja e kësaj sasie droge do realizohej nga porti “Sao Paolo” Brazil dhe destinacioni përfundimtar, ka qenë porti i Valencias në Spanjë.
Mësohet se në 25 shtator 2023, kjo letërporosi është ekzekutuar për SPAK-un në Shqipëri, nga autoritet e prokurorisë së Brazilit dhe si pasojë e hetimeve të kryera për episodin e trafikimit të 69 kg kokainë, SPAK ka proceduar shqiptarët, Ismail Zeneli me nofkën “Dajloki”, Eralbi Breçani me nofkën “Boli” ose “Toni”, një shtetas tjetër B.M dhe Ergys Dashi me nofkën “Elb-Nisan”.
Por për shkak se Ergys Dashi është vrarë në Brazil, hetimi ndaj tij është ndërprerë.
Ndërsa një rast tjetër ku drejtuesit e SPAK, kanë shfaqur mjaft interes për të shkuar në Brazil, lidhet dhe me episodin e ndodhur në 2 Shtator 2019 në Gefron të Brazilit, ku u sekuestruan brenda një kontinjeri ngarkesa prej 617 kg kokainë.
Të gjitha pakot e kokainës ishin të identifikuara me logon e Futboll Club Elbasanit, duke ngritur dyshime të forta se pronarët e drogës ishin nga Shqipëri dhe pikërisht duke simbolizuar qytetin e Elbasanit.
Ndërkohë për këtë episod të trafikut të kokainës, SPAK ka marë dhe dëshminë e bashkëpunëtorit të Drejtësisë, Erjon Alibej, i cili i ka treguar prokurorëve se sasia prej 617 kg kokainë e kapur në Brazil, i përket një grupi kriminal në qytetin e Elbasanit.
Për këto dy episode dhe ndërveprimin e ndërsjelltë mes dy prokurorive do jetë fokusi i takimit të delegacionit të SPAK që ka vizituar Brazilin.
