Punonjësit e “Boing” nuk dorëzohen, në protestë që më 13 shtator
Punëtorët e fabrikës Boeing kanë votuar kundër ofertës më të fundit të propozuar nga kompania. Gjashtë javë pas një greve që ka ndaluar prodhimin e avionëve më të shitur të gjigantit të hapësirës ajrore ata thonë se këto janë pasojat e keqtrajtimit të punonjësve.
Punonjësit e Boeing-ut kanë refuzuar një ofertë të re nga gjigandi i prodhimit të avionëve, i cili përfshinte një rritje page prej 35% gjatë katër viteve.
Sindikata e Shoqatës Ndërkombëtare të Punëtorëve të Hapësirës Ajrore tha se 64% e anëtarëve të saj votuan kundër marrëveshjes së propozuar duke vijuar grevën e nisur prej kohësh.
Më shumë se 30,000 punonjës i janë bashkuar largimit, i cili filloi më 13 shtator.
Disa orë më parë, shefi i Boeing, Kelly Ortberg, paralajmëroi se kompania është në një "udhëkryq" pasi humbjet në firmë u rritën në rreth 6 miliardë dollarë .
"Kjo është demokracia në vendin e punës dhe gjithashtu dëshmi e qartë se ka pasoja kur një kompani keqtrajton punëtorët e saj vit pas viti," thanë përfaqësuesit e sindikatës në një deklaratë.
Është hera e dytë që punëtorët grevistë kanë refuzuar një marrëveshje të propozuar në një votim zyrtar.
Oferta e mëparshme u refuzua muajin e kaluar nga 95% e punëtorëve.
"Kjo është një anije e madhe që do të marrë pak kohë për t'u kthyer, por kur të ndodhë, ajo ka kapacitetin të jetë përsëri e mrekullueshme," tha shefi ekzekutiv i kompanisë.
Kriza e fundit në Boeing nisi në janar të këtij viti me një shpërthim dramatik në ajër të një pjese të një prej avionëve të tij .
Biznesi i saj hapësinor gjithashtu pësoi një goditje në reputacionin publik pasi anija e saj Starliner u detyrua të kthehej në Tokë pa i transportuar astronautët.
Greva ka komplikuar problemet, duke çuar në një ngadalësim të prodhimit dhe po u kushton një dëm ekonomik prej 100 milionë dollarë në ditë.


