“Nxehet” fushata në SHBA/ Harris e quan Trump-in fashist. Ish-Presidenti e etiketon me terminologji komuniste “Shoqe”
Kandidatja demokrate për Shtëpinë e Bardhë shpreson se vdekja e liderit të Hamasit do të krijojë një mundësi për ti dhënë fund konfliktit. Zv. Presidentja Kamala Harris ka ashpërsuar gjithashtu retorikën e saj kundër republikanit Donald Trump duke e quajtur këtë të fundit fashist.
Pak ditë përpara garës për Shtëpinë e Bardhë zv. Presidentja Kamal Harris është vënë nën presionin e pyetjeve mbi zgjidhjen që do ti japë luftës në Lindjen e Mesme, që asnjë civil i pafajshëm të mos humbasë jetës për shkak të bombave që financohen nga dollarët e taksave amerikane.
Harris tha se është e paarsyeshme që dhjetëra civile janë çdo ditë viktima të një lufte të paprovokuar prej tyre, por shpreson se vdekja e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar, i cili ndihmoi në planifikimin e sulmit të 7 tetorit dhe u vra nga Izraeli në fillim të këtij muaji, do të krijonte një mundësi për t'i dhënë fund konfliktit.
Kur u pyet për ata do të ulen në shtëpi për shkak të qasjes aktuale të SHBA-së ndaj konfliktit duke mos votuar, ajo tha se besonte se të njëjtët votues kujdesen për qasjen e presidentit të tyre ndaj çështjeve të tjera, duke përfshirë koston e sendeve ushqimore dhe të drejtat riprodhuese.
Për këto çështje përballë Trump thotë se ish presidenti është i paqëndrueshëm dhe i papërshtatshëm për të shërbyer. Madje shkon më tej kur thotë se republikani është një 'fashist' që kërkon të fitojë pushtet të pakontrolluar.
Për këtë Trump i dha një përgjigje në rrjetet sociale.
“Shoqja Kamala Harris e sheh se po humbet dhe po humbet gjithnjë e më shumë mbështetje, sidomos pasi i ka vjedhur garën Joe Biden, kështu që tani po e ngre gjithnjë e më shumë retorikën e saj, duke shkuar aq larg sa të më quajë edhe Adolf Hitler dhe çdo gjë tjetër që i vjen në mendje. Ajo është një kërcënim për demokracinë dhe nuk është e përshtatshme për të qenë Presidente e Shteteve të Bashkuara - dhe sondazhi i saj e tregon këtë”, tha Trump.
Ish-presidenti Donald Trump e përqendroi fushatën të mërkurën në Xhorxhia tek kujdesi Shëndetësor duke thënë se Shtetet e Bashkuara do të shpenzojnë më shumë para këtë çështje se çdo vend tjetër nëse ai rizgjidhet.
Ta bëjmë Amerikën të shëndetshme përsëri, ishte thirrja e tij.

