"21 janari"/ Kuliçaj pas dëshmisë në SPAK: Dhashë shpjegimet e mia shteruese për të gjithë pyetjet që më janë bërë…
Në hetimet për vrasjen e 4 protestuesve në 21 janar të vitit 2011 SPAK ka marrë dëshminë për ish zëvendësdrejtorin e policisë së asaj kohe. Agron Kuliçaj qëndroi në ambientet e SPAK për rreth 35 minuta, ndërsa në dalje u shpreh se gjithçka i përket sekretit hetimor
Për rreth 35 minuta ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit në vitin 2011 Agron Kuliçaj ka dhënë dëshminë e tij në SPAK.
Paraqitja i është kërkuar për masat e marra në tubimin e 21 janarit të atij viti ku u vranë 4 protestues.
Në dalje Kuliçaj nuk ka dhënë detaje duke shtuar se gjithçka I përket sekretit hetimor.
Agron Kuliçaj: Dhashë deklarimet e mia në raport me rrethanat e hetimit lidhur me funksionin që kam kryer në atë periudhë dhe mbi të cilat Prokuroria e Posaçme po organizon hetime për ngjarjet e 21 Janarit.
Dhashë shpjegimet e mia shteruese për të gjithë pyetjet që më janë bërë për veprimet e ligjshme që prokuroria ka kryer dhe në mënyrë të veçantë struktura e policisë që unë kam mbuluar, ka kryer. Për me tepër nuk mund të komentoj pasi me është kërkuar që të mos jap shpjegime.
Mëngjesin e së mërkurës në prokurorinë e posaçme u paraqit edhe drejtori i Policisë në atë kohë Hysni Burgaj.
Për mediet ai u shpreh se blutë në atë kohë zbatuan detyrat ndërsa ishte përgatitur një plan masash me rreth 50 faqe.
Po ashtu, ai shtoi se efektivët u përballën me dhunë, por nuk reaguan ndaj protestuesve.

