Dosja e SPAK/ Rrëfimi i Ismailaj: Udhëtimi më Metën në Pragë rastësi. SPAK: Biznesmeni na gënjeu, 8 ditë pas kthimit u pagua nga “Cez” 691 mln lekë
Nga ky dokument bankar, përftohet e dhëna e rëndësishme se shtetasi Kastriot Ismailaj ka paguar në datën 2.12.2010 shumën e mësipërme në favor të Hotel Mandarin i cili ndodhet në Pragë, Çeki.
Një nga dëshmitarët kryesorë në dosjen “Meta”, rezulton të jetë dhe Kastriot Ismailaj, biznesmeni i kompanisë “Adriatik Development Corporatiopn LTD”, i cili u dënua nga gjykata e Tiranës me 11 vite burgim për akuzën e “Mashtrimit me shuma të mëdha” në aferën e quajtur “CEZ-DIA”.
Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno ka mësuar se Kastriot Ismailaj, është pyetur gjatë kohës që vuante dënimin në burgun e Fierit, ku në datën 21 Prill 2021, oficerët e BKH-së, e kanë pyetur lidhur me një udhëtim që ai ka kryer në dhjetor 2010 në Çeki, me Ilir Metën që në atë kohë ishte Ministër Ekonomie.
Për këtë takim është pyetur dhe vetë Ilir Meta, që tashmë është arrestuar nga SPAK.
Në datën 22 shkurt 2023, Ilir Meta, i pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të hetimit, ka mohuar që të ketë udhëtuar ndonjëherë nën shoqërinë e Kastriot Ismailaj, jashtë R.SH për qëllime të përbashkëta.
Ka deklaruar se: "...mund të ketë ndodhur të kenë qenë në të njëjtin avion, por secili në punën e vet....".
Por sipas SPAK kjo është e ndryshe nga çfarë ka rezultuar nga veprimet hetimore ku nga verifikimi i TIMS, ka dalë se Ministri i Ekonomisë Ilir Meta dhe biznesmeni Kastriot Ismailaj, kanë udhëtuar së bashku në drejtim të Pragës, me qëllim influencimin për lidhjen e kontratës së kompanisë DIA-s me Cez.
Ndërkohë këtë moment e ka shpjeguar dhe Kastriot Ismailaj, i cili ka ambientet e burgut ku vuante dënimin ka deklaruar se udhëtimi i tij, ka qenë udhëtim i planifikuar për të shkuar në Pragë, te CEZ AS Çeki.
Udhëtimin e Metës, Kastrioti deklaron se e ka mësuar atë ditë, në aeroport nga ai. Kastrioti deklaroi se Ilir Metaj ka qenë i shoqëruar nga dy këshilltarë, meshkuj, të kabinetit të tij, ku njëri prej tyre i kujtohej se ishte Majlind Lazimi dhe tjetri Ilir Ciko.
Nga takimi me Ilirin aty. Kastrioti ka mësuar se Ilir Meta ishte i ftuar zyrtarisht nga qeveria Çeke dhe kishte takime me Kryeministrin Çek, Zv. Kryeministrin dhe disa ministra.... Ilir Meta nuk ka marrë pjesë në takimin që Kastrioti ka zhvilluar me CEZ-in...".
Por SPAK pretendon se ndryshe nga çfarë rezulton nga faktet dhe provat e tjera të mbledhura si mësipër, konstatohet se ky deklarim i dhënë nga Kastriot Ismailaj, bie në kundërshtim me tërësinë e provave të grumbulluara gjatë fazës së hetimit paraprak dhe të cilat u analizuan më sipër.
SPAK ka zbuluar se Ismailaj ka paguar në 2 Dhjetor 2010, 1,257.36 euro hotelin “MANDARIN ORIENANT PRAG PRAHAI” në Pragë.
Në dosjen e SPAK thuhet se menjëherë pas kthimit nga Praga të Ilir Metaj dhe Kastriot Ismailaj, shoqëria "DIA" lëshon Faturë Tatimore Shitje me palë shitëse shoqërinë D.I.A dhe palë blerëse shoqërinë CEZ Shpërndarje.
Vlera e faturës pa T.V.SH është në shumën 575 milion lekë dhe T.V.SH është në shumën 69 1 milion lekë të vjetra. Data e faturës është 3 Dhjetor 2010, Nr. i faturës 3 (tre).
Ndërsa në datë 7 dhjetor 2010, shoqëria “CEZ Shpërndarje” nëpërmjet llogarisë së saj në Bankën "Kombëtare Tregtare" ka transferuar në Bankën "Veneto", në llogarinë e shoqërisë D.I.A shumën 69 102 000 lekë me përshkrimin "likuidim pjesor, fatura Nr. 3, datë 03 dhjetor 2010.
