Hado: Kontributet mbi bazën e pagës reale, jetike për skemën e pensioneve
Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado e cilësoi jetike sigurimin dhe pagimin e kontributeve mbi bazën e pagës reale.
Duke marrë fjalën në takimin që u zhvillua sot në Tiranë, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të linjës, me bizneset për çështjen e pensioneve, Hado tha se, “deklarimi real i pagave është me rëndësi, pasi ai reflektohet më pas në skemën e sigurimeve shoqërore dhe në atë të pensioneve”.
“Sistemi i pensioneve që ne kemi zgjedhur të zbatojmë në vendin tonë, bazohet në parimet e solidaritetit, kontratës midis brezave dhe mënyra e financimit të tij, bazohet në pagesat që mbledhim në një muaj të caktuar, për të paguar pensionet e muajit, pra ne nuk akumulojmë fonde që të investojmë”, u shpreh Hado.
Ai tha se, mbledhja e kontributeve është jetike për ecurinë e pagimit të pensioneve.
“Mbledhja e kontributeve ka të bëj me shëndoshjen e financave të ISSH-së, por ka të bëj me jetën e qytetarëve që sot janë pensionistë. Më pak të ardhura do të thotë më pak pension dhe më shumë të ardhura do të thotë që ISSH dhe qeveria kanë mundësinë e bërjes së politikave të rritjes së pensioneve dhe dhënies së mbështetjes financiare për grupe të caktuara vunerabël”, theksoi Hado.
Sipas tij, mos deklarimi i kontributeve është me pasoja për të gjithë ata, që nesër kur të dalin në pension, do t’i çoj automatikisht në mungesë pensioni ose në pension më të ulët.
Hado u ndal në fenomenet që ndeshen sot.
“Nëndeklarimi i pagës. Qytetarët kanë një numër të shtuar ankesash, që thonë pse më ka dalë pensioni kaq i ulët dhe kur ballafaqohen me faktin që gjatë gjithë kohës kanë paguar me pagë minimale dhe nuk kanë paguar me pagë reale, është një çështje që nuk e zgjidh dot më. Dhe një pjesë e qytetarëve thonë qe ne nuk e dinim që na kanë paguar sigurimet me pagë joreale”, u shpreh Hado.
