VIDEO/ Siguroi vota dhe vendin në listën e sigurtë të PS-së duke shitur sekretet shtetërore, socialisti Jurgis Çyrbja del para GJKKO-së
Ka nisur seanca gjyqësore për ish-deputetin socialist, Jurgis Çyrbja, i cili u arrestua dy ditë më parë me urdhër të SPAK.
Ish-deputeti socialist akuzohet për tre vepra penale: “Korrupsion aktiv zgjedhor”, “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror”.
Lidhur me këtë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Oerganizuar bën me dije se do të shqyrtojë nesër kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me objekt: “Marrjen në pyetje të personit të personit të arrestuar dhe verifikimin e kushteve dhe nevojave të sigurimit për personin nën hetim Jurgis Çyrbja”.
Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja u arrestua të dielën në Durrës, pak ditë pasi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, të cilin e mbante që nga viti 2017.
AKUZAT PËR JURGIS ÇYRBEN
Bisedat në “Sky Ecc” kanë tradhtuar deputetin socialist Jurgis Çyrbja. SPAK e akuzon se si deputet arrinte të merrte informacion për kontrollet për arrestimin e Altin Hajrit dhe më tej e informonte edhe personalisht. Në këmbim të kësaj i shumëkërkuari për vepra të rënda kriminale e ndihmoi për të marrë vota në qarkun e Durrësit.
Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, bëri të ditur në një njoftim të shkurtër se urdhërarresti është lëshuar nën akuzat:
- ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje’, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal;
- ‘Përkrahja e autorit të krimit’, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal;
- si dhe ‘Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit’, parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal”.
Korrupsioni aktiv në zgjedhje parashikon dënim nga një deri në pesë vjet, ndërsa neni 302/1/2 parashikon dënimin nga dy deri në shtatë vjet. Neni 295/1 parashikon dënim nga gjobë deri në pesë vjet.
Qëndrimi në Komisionin e Sigurisë si anëtar zëvendësues në parlament, Jurgis Çyrbes i ka shërbyer për të marrë informacion mbi dosjen e Altin Hajrit.
Në deklaratën zyrtare të SPAK-ut thuhet se gjithçka është zbuluar nga bisedat në “Sky”, ku rezulton se deputeti i Partisë Socialiste i dërgonte personalisht të dhënat të shpallurit në kërkim ndërkombëtar dhe me precedentë të rëndë kriminal, apo duke përdorur dhe Ahmet Mashën për t’i komunikuar mbi shpalljen në kërkim apo dhe operacionet që policia zhvillonte në Durrës.
Janë 7 raste që SPAK thotë se ka evidentuar për shkeljet e bëra. Madje në njoftim shtohet se ai ka ndërhyrë edhe në organet ligjzbatuese me qëllim favorizimin e Hajrit, person që në vitin 2015 u kërkua nga drejtësia italiane dhe në 2020 në Shqipëri për vrasjen e Jan Prengës.
Në këmbim të këtyre ndereve Hajri angazhohej për ti siguruar vota Çyrbes në mënyrë që ai të zgjidhej deputet në parlament.
Madje në Kuvend ai arriti të merrte dy mandate, ndërsa dha dorëheqjen rreth dy javë më parë.
Megjithatë SPAK i referohet vetëm procesit të vitit 2021, kur mori 6583 vota teksa u rendit i katërti në listën e PS-së.
Pas kontrolleve të ushtruara për këtë hetim janë sekuestruar:
- Pesë telefona celularë;
- Një hard disk i jashtëm Verbatim;
- Një pajisje regjistrimi në formë pakete cigareje
- Dokumente pronësie, etj
Sipas akuzave të ngritura për zbulimi dhe tregtimi i sekretit hetimor, përkrahja e autorit të krimit dhe korrupsionit në zgjedhje dënimi ndaj tij shkon deri në 5 vite për çdo akuzë.



