FOTO+VIDEO/ U bë deputet me votat e krimit, Jurgis Çyrbja dhe bashkëpunëtori i tij Ahmet Masha mbeten në burg
Gjykata e Posaçme ka lënë në burg ish-deputetin e Partisë Socialiste Jurgis Çyrbja, i cili akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion aktiv ne zgjedhje, përkrahje të autorit të krimit dhe tregim të sekretit shtetëror.
Me të njëjtën masë sigurie u la edhe Ahmet Masha që rezulton të jetë lidhje familjare e Çyrbjas.

Para gjykatës ish-deputeti socialist është shprehur se asnjë herë nuk ka qenë përdorues i platformës së enkriptuar “Sky Ecc”.
AKUZAT PËR JURGIS ÇYRBEN

Bisedat në “Sky Ecc” kanë tradhtuar deputetin socialist Jurgis Çyrbja. SPAK e akuzon se si deputet arrinte të merrte informacion për kontrollet për arrestimin e Altin Hajrit dhe më tej e informonte edhe personalisht. Në këmbim të kësaj i shumëkërkuari për vepra të rënda kriminale e ndihmoi për të marrë vota në qarkun e Durrësit.
MOMENTI I ARRESTIMIT TE SOCIALISTIT ÇYRBJA
Qëndrimi në Komisionin e Sigurisë si anëtar zëvendësues në parlament, Jurgis Çyrbes i ka shërbyer për të marrë informacion mbi dosjen e Altin Hajrit.
Në deklaratën zyrtare të SPAK-ut thuhet se gjithçka është zbuluar nga bisedat në “Sky”, ku rezulton se deputeti i Partisë Socialiste i dërgonte personalisht të dhënat të shpallurit në kërkim ndërkombëtar dhe me precedentë të rëndë kriminal, apo duke përdorur dhe Ahmet Mashën për t’i komunikuar mbi shpalljen në kërkim apo dhe operacionet që policia zhvillonte në Durrës.
Janë 7 raste që SPAK thotë se ka evidentuar për shkeljet e bëra. Madje në njoftim shtohet se ai ka ndërhyrë edhe në organet ligjzbatuese me qëllim favorizimin e Hajrit, person që në vitin 2015 u kërkua nga drejtësia italiane dhe në 2020 në Shqipëri për vrasjen e Jan Prengës.
Në këmbim të këtyre ndereve Hajri angazhohej për t'i siguruar vota Çyrbes në mënyrë që ai të zgjidhej deputet në parlament.

Madje në Kuvend ai arriti të merrte dy mandate, ndërsa dha dorëheqjen rreth dy javë më parë.
Megjithatë SPAK i referohet vetëm procesit të vitit 2021, kur mori 6583 vota teksa u rendit i katërti në listën e PS-së.
Pas kontrolleve të ushtruara për këtë hetim janë sekuestruar:
- Pesë telefona celularë;
- Një hard disk i jashtëm Verbatim;
- Një pajisje regjistrimi në formë pakete cigareje
- Dokumente pronësie, etj
Sipas akuzave të ngritura për zbulimi dhe tregtimi i sekretit hetimor, përkrahja e autorit të krimit dhe korrupsionit në zgjedhje dënimi ndaj tij shkon deri në 5 vite për çdo akuzë.


