Regjistrimi i emigranteve/ KQZ publikon udhëzuesin, zgjedhësit e diasporës me adresat përkatëse

Shtetasit shqiptarë që do të votojnë nga jashtë vendit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të duhet të regjistrohen 68 ditë përpara zgjedhjeve.

KQZ bëri me dije dhe udhëzuesin për votuesit e diasporës, me anë të Platformës Elektronike të Regjistrimit do të vendosin të dhënat e tyre personale, të cilat pasi të verifikohen nga KQZ dërgohen në Gjendjen Civile për t’u regjistruar si zgjedhës në një regjistër të veçantë.

Platforma kërkon identifikimin biometrik me njohje të fytyrës, një kod unik i përkohshëm gjashtëshifror që i dërgohet zgjedhësit në numrin e tij të telefonit dhe e-mail, si dhe Numri Personal i Identifikimit.

Ndërkohë dokumentet që nevojiten janë certifikata e pronësie, vërtetim banimi, kontratë qiraje apo çdo lloj dokumenti që vërteton qëndrimin e zgjedhësit në një shtet tjetër.

63 ditë përpara datës së zgjedhjeve, KQZ do të publikojë listën paraprake. Kjo bëhet me qëllim që zgjedhësit brenda 48 orësh të kërkojnë regjistrimin apo rregullimin e pasaktësive dhe 60 ditë para datës së zgjedhjeve, do të publikohet lista përfundimtare e votuesve jashtë vendit.

Por regjistrimit dhe lista bëhet sipas vendimeve të Rregullatorit, i cili shtyu për herë të dytë procedurat që do ndjekin pikërisht për këtë çështje.

Gjatë mbledhjes debatet u fokusuan lidhur me vlefshmërinë e mjeteve të identifikimit.

Mbledhja e datës së hënë, do të vendosë nëse rregullatori do të lejojë që emigrantët që kanë dokumentet e identifikimit jashtë afateve të skadencës, do të mund të votojnë.

Sipas Kodit të ri Zgjedhor, vota e personave që jetojnë jashtë, llogaritet në qarkun ku ai/ajo ka jetuar përpara se të largohej nga Shqipëria.