Moody’s rishikon me rritje ekonominë shqiptare, Malaj: Ndikim ulja e borxhit, rritja e investimeve

 

Agjencia prestigjioze Ndërkombëtare e Vlerësimit Moody’s, rishikoi me rritje ekonominë shqiptare, duke e konsideruar në Ba3- e qëndrueshme, nga B1-pozitive.

Ministri i Financave Petrit Malaj konfirmoi këtë rritje të vlerësimit duke e cilësuar lajm të mirë për ekonominë shqiptare dhe reflektim të të gjitha përpjekjeve për të siguruar një rritje të qëndrueshme të ekonomisë, forcimin e mëtjeshëm të financave publike, si dhe një efikasitet më të lartë në zbatim të reformave drejt integrimit europian.

Në një deklaratë për mediet, Malaj tha se, rishikimi pozitiv për ekonominë shqiptare vjen në një moment kur ekonomia globale po kalon një sërë sfidash gjeopolitike, digjitalizimi apo kushtet klimaterike.

Sipas tij, ky vlerësim pozitiv konfirmon mbi të gjitha se Shqipëria është duke ecur në rrugën e duhur, sa i takon reformave në kuadër të integrimit, garantimit të mirëqeverisjes si dhe forcimit të mëtejshëm të financave publike.

“Përfitimet që vijnë nga ky vlerësim janë konkrete: Rritja do të sjellë vlerësim pozitiv sa i takon investimeve të huaja duke rritur besimin tek investitorët e huaj. Gjithashtu Shqipëria do të përfitojë nga tregjet ndërkombëtare duke siguruar huamarrje me kosto më ulët financimi”, u shpreh ministri.

Malaj tha se, “kjo do të thotë që ekonomia shqiptare do të jetë e qëndrueshme edhe në termat afatmesëm”.

Duke u ndalur në treguesit ekonomikë në rritje, ministri tha se, në harkun kohor të 10 viteve PBB është rritur më shumë se dy herë, nga 9,6 miliardë euro në 2013 në 21.4 miliardë euro deri në fund të 2024.