Çelja e negociatave, Rama: Shqipëria 2030 do të ngrejë flamurin në Bruksel

Kryeministri Edi Rama, përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ka shprehur krenarinë për një moment historik për Shqipërinë, duke e cilësuar si një ditë të paharrueshme ditën e djeshme, kur vendi ynë çeli negociatat me Baskimin Evropian për grup kapitujt e parë.

Ai theksoi se Shqipëria ka zënë vendin e saj në tryezën e bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Europian, duke marrë vlerësimin e merituar për arritjet e këtyre viteve të fundit.

Rama shprehu besimin se Shqipëria, deri në vitin 2030, do të ngrejë flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit në oborrin e Bashkimit Europian në Bruksel.

“Me krenarinë e një dite të paharrueshme, ku Shqipëria u ul plot dinjitet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim me Europën e Bashkuar, me të gjithë forcën e të vërtetave të arritjeve të mundimshme të këtyre viteve, të cilat morën të gjithë vlerësimin e merituar më në fund, si edhe me bindjen më të fortë se kurrë se Shqipëria 2030 do të ngrejë flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit në oborrin e Familjes së Europës së Bashkuar në Bruksel”, thekson Rama.